(VIDEO) Ministri i Drejtësisë nënshkroi kërkesën për ekstradim të Demirit dhe Ismailoviqit

(VIDEO) Ministri i Drejtësisë nënshkroi kërkesën për ekstradim të Demirit dhe Ismailoviqit

Ministri i Drejtësisë Igor Filkov sot ka deklaruar se ka nënshkruar kërkesë për ekstradim të Alil Demirit dhe Afrim Ismailoviqit, të cilët janë dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale “terrorizëm”. Siç ka sqaruar ai, këto dy kërkesa janë dorëzuar në Kosovë dhe po pritet përgjigjje. Ai potencoi se për të lartpërmendurit është kërkuar ekstradim nga Republika e Kosovës për herë të parë më 15 mars të vitit 2013, por e njëjta është refuzuar.

IGOR FILKOV, MINISTËR I DREJTËSISË

Për Alil Demirin dhe Afrim Ismailoviqin është kërkuar ekstradim nga Republika e Kosovës për herë të parë më 15 mars 2013. Kërkesa për ekstradim ishte refuzuar me aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë të tetorit të vitit 2015, të konfirmuar nga Gjykata e Apelit e Kosovës në janar të vitit 2016. Për të dy ata është kërkuar sërish ekstradim më 5 shtator 2018. Në procedurë është dorëzuar gjithçka që është kërkuar nga autoritetet e Kosovës. Përgjigjet zyrtare nga Kosova për refuzimin e ekstradimit të Ismailoviqit janë dërguar dy herë, në shkurt 2016 dhe tetor 2021. Për Demirin ka pasur një përgjigje zyrtare nga Kosova në shkurt të vitit 2016. Pas gjashtë vitesh ne përsëri kërkojmë ekstradimin e tyre”.

I pyetur lidhur me ekstradimin e ish ushtarit të UÇK-së Blerim Ramadanit Filkov tha se ai momentalisht gjendet në paraburgim dhe për më tej tha se duhet të vendosin organet e drejtësisë.

Filkov njoftoi se ish-ministri i drejtësisë Krenar Lloga para se të largohej nga detyra, ka nënshkruar një vendim me të cilin nga 1 shtatori, shërbimet e noterëve do të shtrenjtoheshin dhjetëfish. Ai tha se ka ngritur iniciativë për tërheqjen e këtij vendimi dhe se kjo rritje e çmimeve nuk do të realizohet.

IGOR FILKOV, MINISTËR I DREJTËSISË

Ky vendim ishte marrë në muajin shkurt, por pritej të kalonin zgjedhjet. Më 6 qershor qeveria teknike e miratoi dhe u publikua në gazetën Zyrtare më 11 qershor. I gjithë procesi u fsheh nga publiku dhe nuk pati njoftime zyrtare apo konferenca për shtyp lidhur me vendimin. Nuk funksionon kështu. Populli nuk duhet të paguajë diçka dhjetëfish më shumë, domethënë të mos merren vendime, pa pasur një debat të gjerë, pa dëgjuar se çfarë mendojnë të gjithë palët e interesuara. Për ndryshimin e çmimit mbi çdo bazë, duhet të ketë një analizë serioze”.

Duke iu referuar ndryshimeve të kodit penal, Filkov tha se po punohet për ndryshimin e tij në mënyrë që të gjithë funksionerët që kanë keqpërdorur detyrën zyrtare të mbajnë përgjegjësi për veprat e tyre.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING