(VIDEO) Ministri i Brendshëm siguron se po merren masa për ndërtimet pa leje në Çair

(VIDEO) Ministri i Brendshëm siguron se po merren masa për ndërtimet pa leje në Çair

Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski ka konfirmuar sot se kanë urdhër nga Prokuroria për të vepruar në lidhje me ndërtimet pa leje. I pyetur se a është konstatuar ndonjë ndërtim pa leje, për çka vazhdimisht alarmon kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, Toshkovski tha se nuk mund të ndajë detaje rreth kësaj, megjithatë, ai premtoi se rezultatet në këtë fushë do të jenë të dukshme së shpejti.

Pançe Toshkovski, ministër i Brendshëm

Në lidhje me atë se, a ka urdhër nga ana e prokurorit publik, po ka dhe po veprojmë. Ju siguroj se sikurse për të gjitha lëndët për të cilat është vepruar nën këtë udhëheqësi, ashtu edhe në të ardhmen nuk do ta vëmë në pikëpyetje asnjë lëndë konkrete në interes të publikut. Do të veprojmë në raport me të gjitha, ashtu siç i ka hije një vendi evropian. Për dallim nga qeveria paraprake, ne nuk jemi evropianë vetëm në mënyrë deklarative, këtë e dëshmojmë me vepra”.

Toshkovski po ashtu, në konferencën për media për rezultatet e vitit të parë të mandatit të tij, u zotua për luftë jo selektive dhe të pa kompromistë kundër çdo kujt që ka bërë shkelje ligjore.

Kujtojmë se, kryetarja e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska gjatë muajit maj doli në terren në disa lokacione në Komunën e Çairit ku zhvilloheshin ndërtime, prej ku përmes lidhjes direkte në profilin e saj në Facebook, akuzonte se bëhet fjalë për ndërtime të paligjshme. Ajo u bëri thirrje institucioneve kompetente të reagojnë dhe ka dorëzuar në prokuroria të gjitha dëshmitë relevante në lidhje me ndërtimet pa leje në Çair.

Ndërkaq, Arsovska po ashtu ka hedhur dyshime se, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu ka falsikifuar dokumente dhe ka bërë legalizime në mënyrë të paligjshme.

Sipas saj, Prokuroria veç më po zhvillon dy procedura për Ganiu, prej të cilave njëra është për falsifikimin e librit të arkivit me numra dhe kërkesa për legalizime, ndërsa tjetra është për një rast tjetër.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING