(VIDEO) Ministra dhe Eurodeputetë kërkojnë përshpejtimin e zgjerimit të BE-së

(VIDEO) Ministra dhe Eurodeputetë kërkojnë përshpejtimin e zgjerimit të BE-së

Deputetët e Parlamentit Evropian në Komisionin për Politikë të Jashtme, dhe një varg ministrash të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, kanë mbështetur procesin e zgjerimit të BE-së dhe kanë tërhequr vërejtjen se procesi duhet të përshpejtohet, pasi, sipas tyre, deri tash ka qënë tepër i ngadalshëm. Ata kanë thënë se dinamika e procesit të zgjerimit duhet të përshpejtohet, edhe si përgjigje ndaj sfidave të reja gjeopolitike, pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Deklaratat e tyre u bënë në një debat të përbashkët në Komisionin për Politikë të Jashtme të PE-së, me disa ministra të Jashtëm të vendeve anëtare, që u zhvillua të martën në Bruksel. Kjo ishte hera e parë që një debat i tillë u zhvillua me praninë e eurodeputetëve dhe të ministrave të BE-së.

Debati u organizua vetëm dy ditë para se shefat e shteteve apo qeverive të BE-së të diskutojnë në Bruksel për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Bosnje e Hercegovinës, dhe për disa vendime tjera lidhur me zgjerimin.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister, tha se zgjerimi i BE-së do të jetë temë edhe gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet evropiane, dhe kërkoi nga Komisioni Evropian të dalë me propozimin e reformave që BE-ja duhet t’i bëjë për t’u përgatitur për zgjerim.

Ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, e cila në dy mandate ka qenë edhe deputete e Parlamentit Evropian, ka rikujtuar se ka pasur shumë vonesa në procesin e afrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përmendur pritjet e gjata për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, si dhe heqjen e vizave për Kosovën.

Ajo mbështeti idenë që viti 2030 të jetë vit kur BE-ja dhe vendet anëtare duhet të jenë gati për zgjerim. Fajon tha se vendet e Ballkanit Perendimor dhe tri vendet lindore që tani janë kandidate mund të avancojnë paralelisht.

Edhe ministrat nga Danimarka dhe Austria thanë se Evropa ka ndryshuar, dhe se zgjerimi tash është i domosdoshëm. Por, ata përsëritën se procesi duhet të mbetet i bazuar në meritat individuale të vendeve kandidate, që të përmbushin kriteret përmes reformave.

Sekretari hungarez i Shtetit, Peter Sztaray, tha se në pjesën e dytë të vitit, kur Hungaria do ta ketë kryesimin e radhës të BE-së, zgjerimi do të jetë prioritet. /SHENJA/

MARKETING