(VIDEO) Minçev: Administrata u shkatërrua nga partizimi dhe punësimet familjare

Partia, punësimet miqësore dhe familjare gjatë 30 viteve të fundit e kanë sjellë administratën në këtë gjendje, të jetë jofunksionale, e ngadalshme dhe joefikase, ka deklaruar sot ministri i Administratës Publike Goran Minçev, gjatë shpalosjes së pakos së re të ligjeve për përmirësimin dhe profesionalizimin e zyrtarëve shtetëror. Siç theksoi Minçev pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit me ambasadorin francez Kristof Le Rigoler, Qeveria është fuqimisht e përkushtuar për departizimin e administratës, por edhe për racionalizimin e saj që është edhe një detyrim i vendit për anëtarësim në BE.
GORAN MINÇEV, MINISTËR I ADMINISTRATËS PUBLIKE
“Kemi miratuar pako prej katër ligjesh që i konsiderojmë një hap përpara drejt reformave administrative. Njëri prej tyre, për akademinë, ka të bëjë me edukimin e administratës dhe ky do të jetë një prioritet kyç në periudhën e ardhshme. Po fillojmë jo vetëm me edukimin e punonjësve të rinj në sektorin publik, por edhe me ruajtjen e vazhdimësisë së njohurive për pjesën tjetër që duhet të ndjekë trendet moderne dhe procesin evropian”.
Ambasadori francez Kristof Le Rigoler tha se reformat nuk duhen parë si detyrim, por si diçka e mirë për vendin nga e cila do të përfitojnë të gjithë qytetarët.
KRISTOF LE RIGOLER, AMBASADOR FRANCEZ
“Procesi i përafrimit evropian është një proces i zbatimit të reformave dhe transformimit. Megjithatë, reformat e kërkuara nga BE-ja nuk duhet të kuptohen si kufizuese, as nuk duhet të konsiderohen si një detyrim që duhet të zbatohet sepse BE-ja e kërkon, por duhet të kuptohen si diçka që është e mirë dhe pozitive për vendin dhe nga e cila do të përfitojnë të gjithë qytetarët”.
Ministria e Administratës Publike dhe Ambasada e Republikës së Francës nënshkruan sot një memorandum bashkëpunimi, duke promovuar një projekt të ri strategjik që synon modernizimin e institucioneve dhe ndërtimin e një administrate publike profesionale, efikase dhe të besueshme.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/