(VIDEO) Micotakis para KE-së: Presidentja dhe kryeministri në RMV po e shkelin marrëveshjen e Prespës

(VIDEO) Micotakis para KE-së: Presidentja dhe kryeministri në RMV po e shkelin marrëveshjen e Prespës

Gjatë mbledhjes së Këshillit Evropian, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i informoi kolegët e tij europian për, siç tha ai, “faktin që si presidenti ashtu edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut shkelin drejtpërdrejt Marrëveshjen e Prespës” dhe vuri në dukje se është e nevojshme që të gjithë ta kuptojnë se “respektimi i legjislacionit evropian, padyshim kalon përmes respektimit të plotë të marrëveshjeve ndërkombëtare”.

Në konferencën për shtyp në Bruksel pas Samitit të Bashkimit Europian, Mitsotakis, përveç zhvillimeve aktuale evropiane, foli edhe për marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut.

 KYRIAKOS MITSOTAKIS, KRYEMINISTËR I GREQISË

“Duke qenë se kishte një seksion për çështjet e zgjerimit, unë mora iniciativën dhe i njoftova kolegët e mi në Këshillin Evropian për zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, për faktin se edhe presidentja edhe kryeministri në fakt po shkelin drejtpërdrejt Marrëveshjen e Prespës, duke e injoruar atë në praktikë erga omnes dhe duke zgjedhur përdorimin e një emri të ndryshëm nga emri i përcaktuar me kushtetutë i vendit për përdorim të brendshëm, i cili është plotësisht në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Prespës”.

Ai kërcënoi se nëse Shkupi vazhdon të sillet kështu do ta vështirësojë jashtëzakonisht, procesin e afrimit me familjen evropiane.

Kryeministri grek para disa ditëve tha se këtë çështje do ta ngrejë në samitin e ardhshëm të NATO-s në Uashington, duke thënë se nëse kryeministri i ri i vendit nuk shprehet qartë se respekton Marrëveshjen e Prespës, mund të ketë një përvojë të pakëndshme në samitin e Aleancës. Ndërsa mickoski iu përgjigj se është i gatshëm të ballafaqohet me të me argumente.

Deri më tani, të gjitha dokumentet zyrtare,  janë nënshkruar duke përdorur emrin Maqedonia e Veriut. Edhe Siljanovska, edhe Mickoski kanë theksuar vazhdimisht se do ta përdorin emrin kushtetues pavarësisht nëse janë dakord apo jo, por e konsiderojnë të drejtë personale se si do ta emërtojnë shtetin në deklaratat e tyre .

Edhe Greqia ende nuk i ka ratifikuar memorandumet që janë pjesë e detyrimeve të tyre nga Marrëveshja Prespës. Bëhet fjalë për memorandumin për përshpejtimin e procesit integrues të Maqedonisë së Veriut në BE; Memorandumi për themelimin e Komitetit Koordinues për Bashkëpunim Ekonomik dhe Marrëveshja Teknike për mbikëqyrjen e FIR Shkup.

/SHENJA/

 

MARKETING