(VIDEO) Mickoski për parkingun e Qendrës Klinike: Nëse nuk u pëlqen qytetarëve, nuk e nënshkruajmë

Për paralajmërimin se një kompani shqiptare do ta menaxhoj parkingun në Qendrën Klinike, Hristijan Mickoski thotë se nëse kjo nuk ju pëlqen qytetarëve nuk do ta nënshkruajmë këtë marrëveshje. Megjithatë ai, numëroi siç tha faktet e përzgjedhjes së kësaj kompanie.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Fakti numër një, vendimi merret në bazë të studimit fizibiliti, sepse ajo kështu ka thënë, ne nuk mund të shkojmë kundër saj. Fakti i dytë, është nënshkruar konkurs, është paraqitur vetëm një kompani edhe pse kriteret janë vërtetë të mëdha dhe së treti, asgjë asgjë nuk është nënshkruar dhe asgjë nuk ka përfunduar. Ne e dëgjojmë opinionin, opinion është i pakënaqur. Nëse opinioni thotë nuk duam, nuk do ta nënshkruajmë”.
Partia opozitare LSDM ka kundërshtuar mundësinë që parkingun e Qendërs Klinike ta menaxhojë një kompani nga Shqipëria. Partia pretendon se Taravari dhe Mickoski konfirmuan se jo vetëm që fshihin një interes të madh afarist pas marrëveshjes me kompaninë “Gjoka”, por se nuk kanë asnjë ndjenjë apo interesim për mbrojtjen e pacientëve.
LSDM
“Është skandaloze dhe e turpshme që ministri i Shëndetësisë arsyeton rritjen e çmimit të parkimit në Qendrën Klinike me çmime në qendrat tregtare. Qytetarët do të paguajnë 50 denarë në orë, e jo 30 si më parë për vizitë te mjeku. Ky është kulmi i paturpësisë”.
Ndërkohë Aleanca për Shqiptarët e drejtuar nga Ziadin Sela vlerëson se parkingu i Qendrës Klinike Universitare duhet të menaxhohet nga vetë institucioni. Sipas partisë opozitare shqiptare, në një shtet social, shëndetësia publike duhet të jetë shtylla kryesore e shërbimeve shëndetësore dhe një institucion jofitimprurës.
ASH e Ziadin Selës
“Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për t’ia dhënë menaxhimin e parkingut të Qendrës Klinike Universitare një kompanie private anonime ngjall dyshime për mundësi abuzimi dhe keqpërdorimi. Në të kaluarën, parkingu është menaxhuar nga vetë Qendra Klinike Universitare, një praktikë që ka qenë më logjike dhe më e dobishme si për institucionin, ashtu edhe për punonjësit dhe qytetarët që përdorin shërbimet shëndetësore për vete apo të afërmit e tyre”.
Mediat raportuan se operatori privat nga Shqipëria, Gjoka Construction, ishte e vetmja kompani që iu përgjigj thirrjes për partneritet publik-privat. Nëse kjo kompani e fiton kontratën, do të duhet të investojë në garazhe shumëkatëshe, por çmimi i parkingut nga 30 do të rritet në 30 denarë për orë dhe në këmbim kompania do t’i transferojë shtetit 1 për qind nga të hyrat vjetore.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/