(VIDEO) Mickoski kërkon falje në emër të Limanit, fëmijët janë prioriteti ynë

(VIDEO) Mickoski kërkon falje në emër të Limanit, fëmijët janë prioriteti ynë

Kryetari i Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi, do të duhet të më kërkoj falje publike, sepse më ka quajur ministër jo legjitim, ose në të kundërtën, nuk e hapi çerdhën në Haraçinë”. Kjo ishte deklarata e thënë të martën e Ministrit të politikës sociale, demografisë dhe rinisë,Fatmir Limani, e cila ngjalli shumë reagime në opinon. Ndërkaq, këtë të fundit, sot e ka korigjuar kryeministri Hristijan Mickoski, i cili u kërkoi falje banorëve të Haraçinës dhe Likovës dhe tha se që sot, ekipi i ministrit do të kontaktojë komunat dhe do të zgjidhet problemi me hapjen e çerdhes.

HRISTIJAN MICKOSKI,KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT

Mëngjesin e sotëm kam folur me Fatmir Limanin dhe gjatë ditës anëtarë të kabinetit të tij, shefi i kabinetit do të kontaktojë administratën në komunën e Haraçinës dhe në komunën e Likovës dhe në këtë mënyrë do të tejkalohet kjo që është temë në publik dje dhe këtyre ditëve, sepse janë marrë miratimet. Ndërsa unë banorëve të këtyre dy komunave, u kërkoj falje në emrin tim për shqetësimet. Fëmijët janë prioriteti ynë i parë dhe politika e kësaj qeverie është në këtë drejtim. Po, ka kryetarë të papërgjegjshëm të komunave me deklarata të papërgjegjshme, por kjo nuk duhet të jetë pengesë”.

Reagime ndaj deklaratës së ministrit Limani, ka pasur edhe nga opozita. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, pjesë e Frontit Europian, Ziadin Sela, e cilëson deklaratën e Limanit si keqpërdorim të detyrës, ndërsa thotë se Prokuroria duhet reagojë.

ZIADIN SELA, KRYETAR I ALEANCËS PËR SHQIPTARËT

Është keqpërdorim detyre realisht. Nuk e di a është i vetëdijshëm, a dëgjojnë prokurorët dhe gjykatësit këto lloj deklaratash, nuk mundet një ministër që ka pozicion të veprojë në bazë inatesh personale, ose kundërshtish politike që ka me këtë ose atë eksponent politik, por atë që e ka obligim ligjor, do të duhet edhe ta procesuojë dhe si i tillë është objekt për keqpërdorim të detyrës”.

Ndërkaq, sa i përket kësaj çështje, Kryetari i komunës së Haraçinës Ridvan Ibrahimi i bëri thirrje Limanit që ti lënë anash inatet politike dhe të vazhdojë procesi edukativo arsimor. Ai tha se bashkarisht duhet ti kërkojnë falje qytetarëve dhe fëmijëve të komunës së Haraçinës të cilët për çështje të tilla politike, nuk po I gëzojnë këto të drejta elementare.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING