(VIDEO) Mickoski: Kam marrëdhënie të mira me të gjithë krerët e VLEN-it
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se nuk mund të flas për situatën brenda koalicionit VLEN, sa i përket zhvillimeve të fundit për shkrirjen e VLEN-it në një parti. Sipas Mickoskit, konsolidimi në një parti është i mirëseardhur në skenën politike. Ndërsa u shpreh se komunikimi dhe raporti me secilin kryetar të VLEN-it, është siç thotë ai, i rregullt dhe korrekt.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Unë mund të them se kam një komunikim jashtëzakonisht korrekt me secilin anëtar të Qeverisë që vijnë nga koalicioni VLEN, mund të them shumë të suksesshëm, shumë të drejtëpërdrejtë. Kam komunikime të rregullta me kryetarët e partive politike që janë pjesë e koalicionit VLEN, kështu që mendoj se një subjekt i tillë i konsoliduar, është i mirëseardhur në skenën politike. Ndërsa për raportet e brendëshme, nuk është e kulturuar që të flas unë”.
Ka disa muaj që vetë liderët e koalicionit VLEN e kanë hedhur si opcion që VLEN të shndërrohet në një subjekt të vetëm politik. Megjithatë kjo temë u aktualizua ditët e fundit. Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka theksuar se një nga opsionet që po shqyrtohet është zgjedhja e një kryetari me rotacion. Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami e ka përmendur opcionin me dy kryetar. Kryetari i LD-së Izet Mexhiti, është shprehur që ideja e bashkëkryetarëve është një prej ideve kreative të cilat ndoshta nuk janë karakteristike në vend, mirëpo i njeh bota demokratike. Kurse kryeparlamentari Afrim Gashi, ka thënë se VLEN duhet të shkojë drejt konsolidimit, por ajo duhet të bazohet në parimet e barazisë dhe vendimmarrjes konsensuale.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

