(VIDEO) Mickoski: Kam besim të plotë te Mexhiti

“Unë kam besim të plotë tek zëvendëskryeministri Izet Mexhiti dhe tek puna e tij” kështu u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur lidhur me akuzat e BDI-së ndaj Mexhitit. Ai i bëri thirje BDI-së dhe të tjerëve që kanë dëshmi t’ia dërgojnë Mickoskit. Ai tha se BDI po vazhdon të merret me mjegulla të ngarkuara me fjalën korrupsion që siç thotë ai ishte emri i dytë i tyre në të kaluarën, ku atributi kryesor ishte qendra tregtare Soravia.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Unë kam një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe të drejtpërdrejtë me zëvendëskryeministrin dhe kam besim të plotë në punën e tij. U bëj thirrje të gjithë atyre që posedojnë ndonjë dëshmi, të cilave iu referohen ata të BDI-së të vijnë dhe t’i sjellin. Ata e kanë numrin tim, të gjithë e dinë, le të vijnë sot ose nesër edhe nëse jam në seancë, do ta lë ta shoh atë dëshmi dhe t’ua dorëzojë organeve përkatëse të cilat duhet të marrin masa”.
Ndërkohë, LSDM sot ka publikuar dokumente të cilat siç thonë ata vërtetojnë se zëvendëskryeministri Izet Mexhiti ka anashkaluar në mënyrë të paligjshme procedurat institucionale për të vendosur personalisht ai se cilat dokumente dhe lëndë do të miratohen apo ndalohen. Ata thonë se dokumentet tregojnë se Mexhiti ka tejkaluar kompetencat ligjore, duke nënshkruar personalisht të gjitha lëndët, pa bazë ligjore dhe pa respektuar procedurën e veprimit administrativ. Ata kërkojnë nga Mickoski që ta shkarkojë Mexhitin.
MARTIN KOSTOVSKI SEKRETAR ORGANIZATIV I LSDM-SË
“Me këtë Izet Mexhiti jo vetëm që ka keqpërdorur pozitën e tij, por edhe ngre dyshime serioze nëse ka dashur të vendosë kontroll në këtë mënyrë dhe të ketë hapësirë për shantazhe ndaj kompanive dhe qytetarëve. E pyesim publikisht Hristijan Mickoskin: deri kur do ta mbrojë Izet Mexhitin? A do ta përjetojë Mexhiti të njëjtin skenar si Artan Grubi, i cili pas abuzimeve të shumta i shpëtoi drejtësisë pikërisht duke iu bashkuar VMRO-DPMNE-së? Presim që Mickoski të kërkojë falje publike para qytetarëve për këto veprime të bashkëpunëtorit të tij më të afërt dhe përfundimisht ta shkarkojë nga detyra”.
LSDM i bëri thirrje Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Prokurorisë Publike që menjëherë të hapin hetime dhe të veprojnë në përputhje me ligjin.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/