(VIDEO) Mickoski i ndërhyri Kasamit, partitë shqiptare reagojnë ndaj donacionit serb të Tetovë

Partitë politike shqiptare opozitare BDI dhe Aleanca për Shqiptarët , krahu i Arben Taravarit, kanë reagur ndaj pres Konferencës së kryeministrit, Hristijan Mickoski dhe kryetarit të Tetovës dhe njëherësh njërit ndër krerët e VLEN-it Bilall Kasami, që e mbajtën gjatë ditës së djeshme në shkollën e mesme “Kirili Pejçinoviq”, ku kanë bërë të ditur fillimin e rikonstruksionit të plotë të kësaj shkolle të mesme. Ajo që ra në sy dhe bëri bujë në opinion ishte se Kasami u pyet nga gazetarët nëse donacioni që po mundëson këtë rikonstruksion vjen nga një kompani serbe dhe nëse pas këtij investimi fshihet një marrëveshje e mundshme për ndërtimin e një Kishe Ortodokse në Tetovë, ndërsa në vend të tij, fjalën e morri Mickoski dhe u përgjigj.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, këtë gjest e quajnë përbuzje të radhës nga Mickoski ndaj shqiptarëve, para gjithë opinionit.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Kjo nuk ishte vetëm nënvlerësim personal, por një demonstrim i hapur i konceptit të dominimit monoetnik që është instaluar me shpejtësi në institucionet shtetërore. Njësoj si në rastin e Zhelinës, edhe në Tetovë po shkelet në publik autoriteti i një përfaqësuesi të zgjedhur”.
Ndërkaq, nga ASH theksojnë se ky akt nuk është thjesht mungesë respekti, por një tentativë për të mbuluar një skandal të pastër që ka për emër – donacioni prej 800 mijë eurosh nga një kompani serbe me bilanc të dyshimtë.
ALENCA PËR SHQIPTARËT
“Kjo nuk është bamirësi. Kjo është marrëveshje e dyshimtë, që lind dyshime serioze për përfshirje të mundshme në pastrim parash, korruptim institucional, apo favore të fshehta, ndërtimin e Kishës Ortodokse në Tetovë nëpërmjet kanalizimit të donacioneve të maskuara si ndihma për komunën, apo shfrytëzimin e institucioneve komunale për qëllime të interesave të huaja në zemër të qyteteve shqiptare”.
Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Komuna e Tetovës transparencë të plotë mbi marrëveshjen me kompaninë serbe Unipromet, një hetim nga institucionet për origjinën e fondeve dhe përfitimet që parashihen në këmbim të këtij “donacioni”, por edhe siç thonë nga atje, një sqarim publik nga kryeministri Mickoski përse pengon kryetarin e komunës që të përgjigjet para qytetarëve.
Samir Mustafa /SHENJA/