(VIDEO) Mickoski: Është e turpshme kjo që bëjnë tregtarët
Është turp kjo që po e bëjnë tregtarët para festave të fundëvitit. Kështu ka deklaruar kryeministri Hristijan Mickoski, ndaj ai u bëri thirrje tregtarëve që ta hetojnë sjelljen e tyre lidhur me çmimet e produkteve ushqimore dhe paralajmëroi se do të kërkojë nga Inspektorati i Tregut inspektim të jashtëzakonshëm me qëllim që të konfirmohet se si çmimi i disa produkteve themelore është rritur gjatë 30 ditëve të kaluara.
HRISTIJAN MICKOSKI,KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT
“Në seancën e Qeverisë do të kërkoj veprim të fuqishëm dhe të ashpër nga Inspektorati i Tregut sepse po marr informacione se disa nga marketet po spekulojnë dhe po bëjnë hile. Unë nuk punoj me hile dhe ata që mendojnë se do të punojnë me hile e kanë gabim. Atë që iu dha si e drejtë dhe mundësi për produkte të caktuara, tani nuk mund ta bëjnë me një rritje dramatike të disa produkteve të tjera si vaji, buka, vezët, mielli… Ne do t’i kundërshtojmë ashpër ata që mendojnë se na kanë mashtruar. Është turp kjo që po bëjnë para festave që vijnë”.
Ndërkaq, nga partia opozitare maqedonase LSDM, vazhdojnë të kritikojë masat qeveritare për uljen e çmimeve duke rikujtuar edhe një herë se Mickoski dhe partia e tij refuzojnë rritjen e pagës minimale dhe nuk e pranojnë propozimin e LSDM-së për shfuqizimin e TVSH-së për ushqimin. Ata theksojnë se me Mickoskin qytetarët varfërohen.
LSDM
“Ushqimi është shumë i shtrenjtë, çmimet e produkteve bazë po rriten në qiell. Nga shporta e Vitit të Ri përveç tregtarëve nuk përfitojnë qytetarët. Të dhënat e fundit tregojnë se shporta minimale sindikale për muajin dhjetor është rritur për 840 denarë dhe arrin në 62.861 denarë. Nuk mjaftojnë as dy paga minimale për nevojat themelore të njerëzve”.
Kujtojmë se për 840 denarë është rritur shporta minimale sindikale në muajin dhjetor në krahasim me muajin nëntor të këtiv vit, ndërsa një familjeje katër anëtarëshe i duhen 62.861 denarë për të kaluar muajin. Për masën e qeverisë të cilët e kanë paralajmëruar si “Shporta e Vitit të Ri”, kanë reagur edhe qytetarët e intervistuar nga Televizioni Shenja, të cilët deklaruan se nuk kanë parë ndonjë ndryshim çmimesh në markete.
Samir Mustafa /SHENJA/