(VIDEO) Mickoski: Do të punojmë për t’i përmbushur obligimet që të hymë në BE
Ndonëse ditë më parë tha se gjersa është kryeministër nuk do të ketë ndryshime kushtetuese, kryeministri Hristian Mickoski sot deklaroi se vendi do të punojë dhe do të përmbush të gjitha obligimet për të përfunduar sa më parë procesin integrimit në Bashkimin Europian.
Duke folur për këtë proces, Mickoski akuzoi qeverinë LSDM-BDI për shitje të të gjitha interesave shtetërorë të ndërtuara ndër vite dhe thotë se tani është e vështirë.
HRISTIAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
‘’Qëndrimi i Qeverisë është se duhet të punojmë dhe të bëjmë gjithçka që është e nevojshme që të përmbushim qëllimin tonë strategjik dhe ai është anëtarësim i plotë në Bashkimin Europian. Nuk do të jetë e lehtë sepse Qeveria e kaluar bëri një komplikim të tillë me procesin e euro-integrimeve duke shitur të gjitha pozicionet e krijuara ndër vite’’.
Ai tha se janë të hapur për dialog me gjithkënd. Kryeministri po ashtu foli edhe për anulimin eventual të Marrëveshjes së Prespës të cilën e kishte premtuar në fushatë zgjedhore. LSDM tashmë ia rikujton premtimet dhe kërkon që të veprojë.
HRISTIAN MICKOSKI – KRYEMINISTËR
“Tani i dëgjoj fjalët e tyre duke thënë që ta anulojmë dhe prishim marrëveshjen, sikur ajo të jetë aq e thjeshtë në të drejtën ndërkombëtare dhe mes raporteve ndër-fqinjësore. Ata e kanë nënshkruar dhe ne në mënyrë aq të thjeshtë ta prishim, thonë diçka duke aluduar se e kemi thënë ne. Unë i kuptoj por, nuk mund ti arsyetoj”.
Kujtojmë se, procesi i integrimit evropian i vendit aktualisht është i bllokuar për shkak të ndryshimeve kushtetuese që Qeveria duhet t’i bëjë për përfshirjen e komunitetit bullgar në Kushtetutë. Kryeministri ka paralajmëruar se këto ndryshime nuk do të realizohen pa garanci se kjo është kërkesa e fundit në këtë proces dhe pa sigurimin e të drejtave për komunitetin maqedonas në Bullgari.
Mevludin Imeri /SHENJA/

