(VIDEO) Mickoski dhe Mexhiti në takim me Erdoganin, nënshkruhet deklarata për themelimin e Këshillit për Bashkëpunim

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, pas takimit me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, ka lavdëruar marrëdhëniet e RMV-së me Turqinë. Në konferencën e përbashkët për media, Mickoski takimin e tij me presidentin turk e quajti “domethënës dhe konstruktiv”.
Mickoski tha se ky takim është konfirmim i miqësisë tradicionale, partneritetit të fortë dhe bashkëpunimit strategjik midis dy vendeve. Në këtë takim, tha Mickoski, është biseduar për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe në disa sfera, siç tha ai, “me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik, investime dhe tregti”.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR I RMV-SË
“Turqia është miku ynë më i rëndësishëm ekonomik dhe tregtar, por edhe një vend i fortë që ka ndikim shumë të madh në rajon dhe përkushtimi i përbashkët është që të rriten investimet turke në Maqedoninë e Veriut dhe të krijohen mundësi të reja për kompanitë maqedonase në tregun turk”.
Ai gjithashtu theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Turqia, si aleate të NATO-s, prioritet e kanë stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
Edhe, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, vlerësoi marrëdhëniet e vendit të tij me Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se dy vendet së bashku, si aleatë të NATO-s, kontribuojmë drejtpërdrejt në paqen dhe stabilitetin e Ballkanit.
Në fjalën e tij, Erdogan tha se në takimin me Mickoskin janë diskutuar rrugët për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa me një deklaratë të përbashkët të nënshkruar, është krijuar mekanizmi i Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë midis dy vendeve.
REXHEP TAIP ERDOGAN, PRESIDENT I TURQISË
“Kam dëshirë që në periudhën e ardhshme të vizitoj Shkupin për takimin e parë të Këshillit. Firmat turke kanë investime në vlerë që i afrohet shifrës 2 miliardë dollarë në Maqedoninë e Veriut, në sektorë të shumtë, si bankat, shëndetësi, arsim dhe energji të rinovueshme. Ne po i vazhdojmë përpjekjet tona për të dyfishuar vëllimin tregtar në fazën e parë, i cili i është afruar shifrës prej 1 miliard dollarësh”.
Ai njoftoi se po ashtu janë shqyrtuar në detaje marrëdhëniet në fushën ushtarake dhe projektet e përbashkëta në industrinë e mbrojtjes. Para konferencës për media, dy liderët nënshkruan deklaratë të përbashkët politike për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të lartë midis dy vendeve. /SHENJA/