(VIDEO) Mexhiti: Sa i përket politikës çështja Grubi është e mbyllur
Një javë pasi Ministria e Punëve të Brendshme dorëzoi kallëzime penale në Prokurorinë Publike për lëndën “Lotaria shtetërore”, ish zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ish drejtori i Lotarisë, Përparim Bajrami mbeten të pakapshëm për organet e përndjekjes. Pesë ditë më parë MPB lëshoi edhe fletë arrest ndërkombëtar, por edhe përkundër kësaj, vend ndodhja e dy personave në fjalë, mbetet e panjohur për autoritetet e vendit. I pyetur sot rreth çështjes së arratisjes së Grubit, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti tha se, Qeveria e ka kryer pjesën e saj dhe i mbetet institucioneve kompetence që të merren me të.
Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër i RMV-së
“Mendoj që Qeveria e ka bërë të veten, po kthehet shteti ligjor, porosia është se askush nuk është mbi ligjin dhe sa i përket politikës çështja Grubi është e mbyllur. Mbetet e organeve të rendit dhe drejtësisë të merren me këtë çështje”.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkoski, ka bërë edhe një herë thirrje për Artan Grubin që të kthehet dhe të përballet me drejtësinë. Toshkoski, gjatë një interviste për TV Sitel, deklaroi se nuk dëshiron të spekulojë për vendndodhjen e Grubit, por shprehu kënaqësi për pezullimin dhe gjobitjen e policit kufitar që lejoi kalimin e Grubit në pikën kufitare të Bllacës.
Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm
“Nuk do të doja të spekuloja. Është e rëndësishme që është lëshuar fletë-arrest ndërkombëtar për personin që theksuat. I njëjti pati një sërë deklaratash, të shpërndara në media, se ai ishte i pastër si loti dhe se nuk ka kryer asnjë vepër penale. Nëse është kështu, është mirë të kthehet në Maqedoni, të përballet me të gjitha ato akuza që ne i kemi paraqitur si të tilla në Prokurorinë Publike, ndërsa Prokuroria Publike ka hapur një hetim dhe është mirë për të gjithë ata që sillen para drejtësisë të dëshmojë atë në procedurë të rregullt”.
Grubi dhe Bajrami janë të dyshuarit kryesor në lëndën “Lotaria shtetërore”. Ata akuzohen për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i procedurës së shpalljes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publiko-privat” në lidhje me “Lotarinë Shtetërore” dhe me këtë, kanë dëmtuar buxhetin e lotarisë me 8,1 milionë euro.
Teuta Buçi /SHENJA/