(VIDEO) Meteorologët paralajmërojnë mot me shi deri më 11 nëntor
Maqedonia e Veriut gjendet nën ndikimin e një sërë valësh të lagështa ajri që vijnë nga Mesdheu. Nga sot deri të martën, më 11 nëntor, në RMV do të ketë reshje lokale shiu, të cilat herë pas here do të jenë të dendura dhe të shoqëruara me bubullima. Po ashtu do të fryjë erë e përforcuar, herë-herë efortë nga drejtimi jugor dhe juglindor me shpejtësi deri në 60 km/orë.
Edhe në Shkup dhe rrethinë, gjatë kësaj periudhe do të ketë reshje të herëpashershme shiu, të cilat në momente të caktuara do të jenë më të dendura e me mundësi për bubullima.
Gjatë kësaj serie të valëve të lagështa ajrore nga Mesdheu, lokalisht pritet të bien sasi të konsiderueshme të reshjeve, mbi 30 litra shi për metër katror.
Sa i përket temperaturave, ato nuk do të jenë shumë të ulëta, do të qëndrojnë rreth ose pak mbi mesataren për këtë periudhë të vitit dhe do të lëvizin në intervalin nga 11 deri në 18 gradë Celsius. /SHENJA/

