(VIDEO) Merhamet shënon 22 korrikun, dita botërore e trurit – reflektim dhe mirënjohje

Me rastin e 22 Korrikut, Ditës Botërore të Trurit, mbrëmja e organizuar nga Organizata Kulturore dhe Humanitare MERHAMET solli një atmosferë të thellë reflektimi dhe ndërgjegjësimi për rëndësinë e shëndetit të trurit dhe mirëqenies mendore.
Përmes dy ligjëratave të vlefshme nga Dr. Burhan Osmani dhe Prof. Dr. Edlira Destani, pjesëmarrësit patën mundësinë të kuptojnë më nga afër kompleksitetin e trurit – si në aspektin anatomik, ashtu edhe në ndikimin që ai ka në jetën emocionale dhe mendore të individit.
Diskutimet sollën thellim të ndjeshëm mbi sfidat që lidhen me shëndetin mendor dhe nevojën për ndërgjegjësim të vazhdueshëm, kujdes dhe mbështetje për njëri-tjetrin.
Mirënjohje për ligjëruesit tanë për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar, si dhe për moderatoren Elif Poshka për udhëheqjen e ngjarjes me elegacë dhe profesionalizëm. Një falënderim i veçantë shkon për Kryetarin e O.K.H. MERHAMET, Hoxhë Ridvan Xhaferi, për mbështetjen dhe angazhimin e tij të pandërprerë në projekte me vlerë për komunitetin.
Kjo ngjarje na rikujton rëndësinë e investimit në shëndetin mendor dhe nevojën për të ndërtuar një shoqëri më të vetëdijshme dhe më të kujdesshme ndaj njëri-tjetrit. Në përmbyllje, ligjëruesve iu dhurua vëllimi “Vepra I–VII” i Sami Frashërit, botim i shtëpisë botuese Logos-A. /SHENJA/