(VIDEO) Me pasaportë të RMV-së mund të udhëtohet pa viza në 129 shtete
Pasaporta e RMV-së renditet në vendin e 40-të sipas indeksit të pasaportave më të fuqishme në botë për vitin 2025 të “Henley & Partners”, dhe me të mund të udhëtohet pa viza në 129 shtete të botës. Maqedonia e Veriut ka bërë përparim dhe është ngjitur pesë pozita më lartë në krahasim me vitin e kaluar, kur ishte renditur në vendin e 45-të. Që nga viti 2018, kjo është renditja më e lartë e pasaportës së RMV-së, në krahasim me vitin 2021, kur ajo ishte në vendin e 47-të.
Nga vendet e rajonit, pasaporta greke është më e ranguara dhe gjendet në vendin e 6-të, dhe me të mund të udhëtohet në 189 shtete, e pasuar nga ajo e Sllovenisë, në vendin e 10-të me të cilën mund të udhëtohet në 185 shtete. Kroacia është në vendin e 11-të (184 shtete), Bullgaria në të 15-tin (178 shtete), ndërsa Serbia është në vendin e 34-të (139 shtete).
Pasaportat e Shqipërisë dhe Bosnjë e Hercegovinës janë në vendin e 43-të dhe me to mund të udhëtohet pa viza në 123 shtete. Kosova është në vendin e 63-të dhe me pasaportë të Kosovës mund të udhëtohet pa viza në 80 shtete.
Në majë të listës së “Henley & Partners” janë pasaportat e Singaporit, Japonisë, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Koresë së Jugut, Spanjës, Austrisë dhe Danimarkës. Ndërsa në fund të listës janë pasaportat e Irakut, Sirisë dhe Afganistanit.
Pasaporta më e fuqishme në botë është ajo e Singaporit, e cila mundëson udhëtimin pa viza në gjithsej 195 nga 227 shtete dhe territore në botë. Pasaporta e SHBA-së është në vendin e 9-të, të cilin e ndan me Estoninë, ku qytetarët mund të udhëtojnë në 186 shtete.
Indeksi i “Henley & Partners” është një rangim autoritar i të gjitha pasaportave në botë, sipas numrit të destinacioneve ku pronarët e tyre mund të hyjnë pa vizë. Indeksi bazohet në të dhëna ekskluzive nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror. /SHENJA/