(VIDEO) Mbrojtja e Bketeshit: Ai nuk ka lëshuar asnjë licencë për “Pulsin”
Drejtorët e akuzuar të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në rastin “Puls”, hedhin poshtë çfarëdo lloj lidhshmërie me diskotekën në fjalë. Ish drejtori i parë i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim Shaban Saliu vlerëson se aktakuza është një konstruksion politik nën presionin e publikut.
Shaban Saliu, ish drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim
“Jam i akuzuar për qëllim të mundshëm, se kam qenë i vetëdijshëm, paramendojeni se prej vitesh ta kem ditur atë që ndodhi më 16 mars. Këtë nuk mund ta dinte askush, as unë. Kërkoj që gjykimi të jetë fer dhe të mos jetë nën presion të politikës dhe mediave”.
Avokati i tij Dimitar Dangov tha se Saliu nuk ka qenë pjesë e proceseve për licencim, për mbikëqyrje inspektuese, kontrolleve tatimore.
Avokatja e ish drejtorit për Mbrojtje dhe Shpëtim, i akuzuar në këtë rast Adnan Xhaferovskit tha se aktakuza është ndërtuar gabimisht dhe se nuk ka fakte që e lidhin klientin e saj me ngjarjen tragjike. Suzana Joshevska Anastasovska shprehet se nuk mund të akuzohet dikush për një lëshim, nëse nuk mund ta vërtetoni se çfarë lëshimi ka bërë.
I akuzuari Xhaferovski, edhe një herë u shpreh se nuk ndjehet fajtor për këtë rast.
Adnan Xhaferovski, ish drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim
“Nuk duhet të lejojmë që një tragjedi, një e keqe të hakmerret me një tjetër, dhe në të njëjtën kohë të mendojmë se drejtësia është vënë në vend. Si qenie njerëzore, ndërgjegjja ime është absolutisht e pastër. Më akuzojnë për mosveprim të qëllimshëm në një sistem jofunksional. Isha për një kohë të shkurt në krye të një fragmenti të atij sistemi jofunksional, të cilin u përpoqa ta përmirësoja me njohuritë dhe aftësitë e mia”.
Mbrojtja e dy ish drejtorëve të tjerë të akuzuar, Bekim Maksutit dhe Xhevat Selamit, gjithashtu e kundërshtuan aktakuzën. Ndërsa, dy të akuzuarit vetëm thanë se pajtohen me mbrojtjen e avokatëve të tyre, pa ndonjë koment shtesë.
As mbrojtja e ish ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshit nuk pranon përgjegjësi për djegien e diskotekës. Ai thotë se nuk ka nënshkruar asnjë licencë për këtë diskotekë.
Elenko Millanov, avokat i Kreshnik Bekteshit
“Për çdo person që në natën 15-16 mars këtë vit nuk ka qenë tek diskoteka në Koçan, që nuk kishte detyrim zyrtar ose obligime tjera të çfarë do llojshme në atë diskoteë nuk mund të përgjigjet për bashkëkryerje të veprës penale. Ajo që don të ju bind prokuroria është që atë që e ka bërë eventualisht Kreshnik Bekteshi është kontribut i veçantë për kryerjen e veprës, por ky kontribut i veçantë duhet të jetë konkret, i përshkruar dhe i theksuar”.
Ndërsa, ish ministri Bekteshi nuk dëshiroi të shtoj asgjë asaj që e kishte përgatitur mbrojtja e tij. Fjalët hyrëse të të akuzuarëve të tjerë do të vazhdojnë në seancën e nesërme.
Emine Ismaili /SHENJA/

