(VIDEO) Mbi 70 të vdekur nga sulmet izraelite në Iran

(VIDEO) Mbi 70 të vdekur nga sulmet izraelite në Iran

Sot në orët e para të mëngjesit, Izraeli nisi sulme ndaj Iranit, përfshirë kryeqytetin Teheranin, Tabrizin, centralin bërthamor Natanz në Isfahan dhe qytetet Lorestan dhe Kermanshah, duke lënë të vrarë zyrtarë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarëve bërthamorë. Sipas mediave iraniane, Hossein Salami, komandanti i përgjithshëm i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, dhe Mohammad Bagheri, shefi i shtabit të ushtrisë iraniane, ishin midis të vrarëve në sulmin izraelit. Përveç zyrtarëve ushtarakë, dy shkencëtarë të lartë bërthamorë, Fereydoon Abbasi dhe Mohammad Tehranchi, u vranë gjithashtu në vrasje të shënjestruara, shkruan Al Jazeera.

MARKETING

Agresioni ka çuar në frikën e një konflikti më të gjerë ushtarak në rajon, me Teheranin që premton një “përgjigje të ashpër”. Udhëheqësi Suprem iranian Ali Khamenei paralajmëroi se Izraeli përballet me një fat “të hidhur dhe të dhimbshëm” pas sulmit. “Me vullnetin e Zotit, dora e fuqishme e Forcave të Armatosura të Republikës Islamike nuk do ta lërë atë [Izraelin] të mbetet pa u ndëshkuar”, tha ai. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha në një mesazh të pararegjistruar se sulmet e së premtes në mëngjes kishin për qëllim dëmtimin e infrastrukturës bërthamore dhe fabrikave të raketave balistike të Iranit.

Ndërkaq, ushtria izraelite tha se kishte dëmtuar strukturat nëntokësore të vendit të pasurimit të uraniumit në Natanz, duke përfshirë një sallë pasurimi shumëkatëshe me centrifuga, dhoma elektrike dhe infrastrukturë shtesë mbështetëse. Ajo shtoi se “u sulmua infrastruktura jetësore në vend që lejon funksionimin e tij të vazhdueshëm dhe përparimin e vazhdueshëm të projektit të regjimit iranian për të siguruar armë bërthamore”.

Zëdhënësi i forcave të armatosura të Iranit, Abolfazl Shekarchi u citua nga mediat iraniane të ketë thënë se Izraeli do të paguajë një “çmim të rëndë” për sulmet e tij. Ndërkaq, shefi i shtabit ushtarak izraelit, Eyal Zamir, tha se Izraeli kishte arritur në një “pikë pa kthim” me sulmin e së premtes. Duke i përshkruar sulmet e mëngjesit të hershëm ndaj Iranit si një “luftë për të ruajtur ekzistencën tonë”, Zamir tha se Izraeli i nisi sulmet pasi nuk mund të “priste një moment tjetër për të vepruar”. Ai tha gjithashtu: “Kushdo që përpiqet të na sfidojë do të paguajë një çmim të rëndë”.

Sulmi ndaj objekteve bërthamore mund të shkaktojë disa pasoja me përmasa të paparashikueshme, duke përfshirë rrjedhje radioaktive, shpërthime dhe ndotje afatgjatë. Irani dhe Shtetet e Bashkuara janë aktualisht të përfshira në bisedime mbi programin bërthamor të Iranit, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje që do të kufizonte programin në këmbim të lehtësimit të sanksioneve për Iranin. Megjithatë pas sulmeve të sotme të Izraelit, Irani njoftoi se, nuk do të marrë pjesë në bisedimet indirekte bërthamore me SHBA-në, të cilat ishin planifikuar të mbaheshin në kryeqytetin e Omanit më 15 qershor. /SHENJA/

MARKETING