(VIDEO) Mbi 2300 shkelje rrugore gjatë fundjavës, gjysma për tejkalim shpejtësie

Gjatë fundjavës së kaluar, zyrtarët policorë nga të gjithë sektorët e punëve të brendshme kanë lëshuar gjithsej 2 324 urdhërpagesa për kundërvajtje të përdoruesve të trafikut në lidhje me Ligjin për siguri në komunikacionin rrugor.
Sipas njoftimit të MPB-së, në kuadër të sanksioneve të vendosura, këtë herë nga kontrollet e radarit, rezultoi se 1132 drejtues mjetesh nuk e kanë respektuar shpejtësinë e përcaktuar, ndërsa janë shënuar 271 shkelje për parkim të parregullt, si dhe 191 shkelje për drejtim mjeti pa patentë shofer, si dhe njëkohësisht janë evidentuar edhe mosrespektime të tjera të rregullave të komunikacionit.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Janë evidentuar 92 drejtues automjetesh që nuk përdornin rripin e sigurimit, 105 motoçiklistë që nuk mbanin helmetë, si dhe u vendosën 45 sanksione për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit. Gjithashtu, 78 drejtues mjetesh janë larguar nga qarkullimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 16 kanë kaluar në semafor të kuq”.
Po ashtu ata njoftuan se në lidhje me shkeljet e Ligjit për automjete janë larguar nga qarkullimi gjithsej edhe 64 vetura, prej të cilave tetë janë hequr për defekte teknike dhe 56 për shkak të pavlefshmërisë së lejeve të komunikacionit. Nga MPB theksuan se kontrollet e trafikut do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Anida Murati /SHENJA/