(VIDEO) MASH: Po përgatisim rekomandime për parandalimin e dhunës së bashkëmoshatarëve
Ministria e Arsimit dhe Shkencës është duke përgatitur rekomandime për shkollat për rritjen e sigurisë në objekte, si dhe uljen e dhunës së bashkëmoshatarëve. Nga Ministria informuan se baza e procesit janë konkluzionet e dala nga takimet e deritanishme me profesorë universitarë dhe ekspertë të fushës, nga takimet me përfaqësues të institucioneve të tjera të përfshira si dhe nga vizitat në shkolla ku së bashku me kuadrin mësimor dhe shërbimet profesionale po analizohet gjendja e sigurisë. Pas finalizimit të rekomandimeve, të njejtat do t’i përcillen Qeverisë dhe do të miratohen në seancën e ardhshme.
MASH
“Njëkohësisht MASH-i vazhdon procesin e konsultimit, me përfshirjen e disa faktorëve shoqëror të cilët mund të ndihmojnë në krijimin e protokolleve gjithëpërfshirëse për rritjen e sigurisë në shkolla dhe manualeve për trajtimin në rast të zbulimit të dhunës nga bashkëmoshatarët”.
Gjithashtu aktiv janë dhe e-mail adresat ku mund të raportohen raste të dhunës në shkolla. Nga ministria e arsimit sqarojnë se deri më tani janë pranuar rreth 20 porosi disa prej të cilave janë nga ish-profesorë në formën e sugjerimeve se si të parandalohet dhuna në shkolla dhe raportime nga nxënës që kanë pësuar një formë të caktuar dhune, për të cilat është kompetent të veprojë Inspektorati Shtetëror i Arsimit.
Këto veprime vijnë pasi një javë më parë në Serbi ndodhën dy vrasje masive. E para ka ndodhur më 3 maj në një shkollë fillore të Beogradit, ku një nxënës i klasës së shtatë vrau 8 bashkëmoshatarë dhe portierin e shkollës si dhe plagosi gjashtë nxënës të tjerë dhe mësuesen e historisë. Vrasja e dytë masive ndodhi më 4 maj në afërsi të Mlladenovcit, ku një 21 vjeçar vrau tetë persona dhe plagosi 14 të tjerë.
/SHENJA/