(VIDEO) Marrëveshja me fondin e Republikës Sërpska, reagon opozita shqiptare

(VIDEO) Marrëveshja me fondin e Republikës Sërpska, reagon opozita shqiptare

Pasi një ditë më herët, Fondi Pensional dhe Sigurimit Invalidor i Maqedonisë së Veriut ka nënshkruar Marrëveshje për shkëmbim elektronik të të dhënave me Fondin e Republika Srpska, kanë vijuar sot një sërë reagimesh dhe kritika nga partitë opozitare shqiptare.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, theksojnë se qeveria forcon lidhjen me “Botën Sërbe”. Sipas partisë së Ahmetit, kjo është e papranueshme që Qeveria e një shteti kandidat për BE të përçmojë marrëveshjen e plotë me Bosnjën dhe Hercegovinën, duke zgjedhur siç thonë integristët, të legjitimojë në mënyrë të drejtpërdrejtë një entitet që hapur sfidon sovranitetin e Bosnjës dhe që është sinonim i ideologjisë së “Srpski svetit”.

BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM

Nënshkrimi i marrëveshjes së fundit mes Fondit Pensional të Maqedonisë së Veriut dhe Fondit të Republikës Srpska nuk është veçse vazhdimësi e këtij orientimi politik të rrezikshëm. Marrëveshja është arritje e një kuadri partiak të ZNAM-it, dhe për fat të keq zëvendëdrejtorit nga radhët e VLEN-it, pjesë integrale e kësaj Qeverie monoetnike, që në vend që të ndërtojë partneritete strategjike me BE-në, SHBA-në dhe shtetet mike, po i forcon lidhjet me strukturat e Dodikut, të cilat njihen hapur si vegla të Beogradit dhe të Moskës”.

Ndërkaq, nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, i bëjnë thirrje qeverisë që të ndalojë menjëherë këtë politikë të rrezikshme dhe të shpjegojë para opinionit publik pse nënshkroi marrëveshje me institucionet e një entiteti që sfidon hapur rendin ndërkombëtar dhe vlerat euroatlantike. Nga ASH, madje kritiokojnë edhe koalicionin VLEN, që janë pjesë e qeverisë

ALEANCA PËR SHQIPTARËT

Heshtja e VLEN-it në këtë rast është skandaloze. Ajo është dëshmi se ky koalicion shqiptar në qeveri nuk ka guxim të thotë asnjë fjalë kundër politikave që e tërheqin Maqedoninë e Veriut drejt Beogradit dhe Moskës. Ky nuk është partneritet, por vazalitet i plotë. VLEN u shfaq para qytetarëve si faktor i ndryshimit, por sot po mbyll sytë përballë afrimit të rrezikshëm me Republikën Srpska, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm orientimin euroatlantik të shtetit, por edhe sigurinë dhe dinjitetin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”.

Kujtojmë se ditë më parë Marrëveshjen e nënshkruan drejtori i Fondit, Nikola Memov, i cili është kuadër i Lëvizjes ZNAM dhe drejtori i Fondit të Pensioneve dhe Sigurimit Invalidor të Republikës Srpska, Mlladen Miliq, ndërsa u tha se me nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje përmbyllet rregullimi i shkëmbimit të të dhënave nga kjo fushë me shtetet e ish-Jugosllavisë dhe paraqet një hap përpara në bashkëpunimin që është në interes të përdoruesve të shërbimeve të Fondit.

Ministri Memov gjithashtu ka theksuar se bashkëpunimi me Fondin e Republikës Srpska në periudhën e ardhshme duhet të zgjerohet edhe me shkëmbimin e të dhënave të tjera me interes për të dy Fondet, gjë që sipas tij, do ta lehtësojë dhe përshpejtojë procesin e realizimit të të drejtave në këtë fushë.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING