(VIDEO) Mariçiq: Maqedonia e Veriut dhe Serbia duhet të jenë të parat që anëtarësohen në BE
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe ministrja e Integrimeve Evropiane e Serbisë, Tanja Mishçeviq, nënshkruan Memorandum për bashkëpunim në fushën e integrimeve evropiane. Mariçiq dhe Mishçveiq theksuan se ky memorandum është një tjetër konfirmim me rëndësi të veçant që i kushtohet bashkëpunimit dhe zhvillimit të mëtejshme në synimin e integrimit evropian.
Zëvendëskryeministri Mariçiq, tha se duhet të mendojnë një hark kohor sa më të shkurtër dhe të bëjnë presion deri në fund të dekadës, respektivisht që në hapjen e parë të portave për anëtarë të rinj, ku Maqedonia e Veriut dhe Serbia të jenë ndër të parat që do të hyjnë.
Bojan Mariçiq, zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane
“Ne kemi detyra shumë të vështira në kuadrin tonë të negociatave dhe kemi shumë punë përpara nesh në të gjithë kapitujt. Në të njëjtën kohë kemi edhe çështje të vështira dypalëshe. Shpërndarja e këtyre çështjeve na jep optimizëm, por edhe të drejtën për të kërkuar që BE-ja të bëjë një kornizë kohore sa më shpejt të jetë e mundur, e cila do të jetë sa më realiste – as shumë optimiste, as shumë e paqartë, gjë që do të na detyrojë të mendojmë kornizë 20 vjeçare”
Ministrja serbe nënvizoi se institucionet e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë kanë një kimi të shkëlqyer, duke i quajtur vllazërore dy vendet që merren me çështje strategjike.
Tanja Misçeviq, Ministre e Integrimeve Evropiane të Serbisë
“Ne kemi bashkëpunuar për një kohë shumë të gjatë dhe me sukses. Ndonjëherë ne mësojmë nga Maqedonia e Veriut, dhe herë ata mësojnë nga ne. Sot ne e kemi vënë në një kornizë procesin më të rëndësishëm, integrimin evropian, edhe pse kemi bashkëpunuar për një kohë të gjatë”
Duke iu referuar nismës “Ballkani i Hapur”, zv.kryeministri Mariçiq tha se ajo praktikisht na tregoi se si të funksionojmë në BE, ndërsa Mishçeviq, tha se përmes “Ballkanit të Hapur” përveç bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, të dyja vendet po afrohen edhe në standartet e BE-së në atë sferë. Linda Ebibi /SHENJA/