(VIDEO) Maqedonia e Veriut ruan vlerësimin kreditor me “Perspektivë Stabile”
Republika e Maqedonisë së Veriut mori konfirmimin ndaj zbatimit të politikave ekonomike nga Agjencia Ndërkombëtare Kreditore “Standard & Poor’s”, e cila e ruajti vlerësimin kreditor të vendit me “BB-” me perspektivë stabile. Në raport, theksohet se rritja ekonomike po përshpejtohet, e mbështetur nga rritja e investimeve publike, veçanërisht në kuadër të projekteve të mëdha infrastrukturore, si dhe nga rritja e të ardhurave të amvisërive përmes rritjes së pagave dhe pensioneve.
AGJENCIA NDËRKOMBËTARE KREDITORE
‘’Konfirmimi i vlerësimit është sinjal i qartë i stabilitetit të politikës makroekonomike, nivelit të moderuar të borxhit publik dhe aftësisë së shtetit për t’i servisuar në kohë dhe në vazhdimësi detyrimet financiare, si dhe për sigurimin e vazhdimësisë në kryerjen e politikave ekonomike, edhe në kushtet e rritjes së pasigurisë ekonomike globale’’.
Agjencia pret që rritja ekonomike të arrijë rreth 3.5% në vitin 2026, ndërsa në periudhën afatmesme rritja do të stabilizohet rreth 3%, me rritje graduale të rolit të investimeve private dhe kërkesës së jashtme. Siç ceket në raport me buxhetin e miratuar për vitin 2026, parashikohet ulje e moderuar e deficitit buxhetor, i cili është projektuar në 3,5% të PBB-së, duke ruajtur nivel të lartë të investimeve kapitale. Kurse “Standard & Poor’s” pohon në raport se risqet në rënie që lidhen me mjedisin e jashtëm, veçanërisht zhvillimet ekonomike në Bashkimin Evropian, balancohen kryesisht nga qëndrueshmëria e ekonomisë vendase, stabiliteti i sistemit financiar dhe qasja e kujdesshme e politikave monetare. Agjencia në raport po ashtu thekson se progresi i mëtejshëm në zbatimin e reformave institucionale dhe strukturore, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, mund të forcojë më tej pozicionin ekonomik dhe fiskal të vendit dhe të kontribuojë në përmirësimin e profilit kreditor. /SHENJA/

