(VIDEO) Maqedonia e Veriut renditet më mirë në rajon për lirinë e mediave

(VIDEO) Maqedonia e Veriut renditet më mirë në rajon për lirinë e mediave

Maqedonia e Veriut është në vendin e 38-të nga gjithsej 180 shtete në botë sipas Indeksit Global të Lirisë së mediave të “Reporterëve pa kufij”. Vendi shënon një kërcim prej 19 vendesh në krahasim me vitin 2022 dhe është pozicionuar më së miri në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përpara Malit të Zi (39), Kroacisë (42), Kosovës (56), Bosnjë e Hercegovinës (64) dhe Serbisë (91) dhe Shqipërisë (96).

Maqedonia e Veriut  bën pjesë  në grupin e vendeve me gjendje “pak a shumë të mirë”, ose të kënaqshme.  Përkundër renditjes më të mirë për sa i përket lirisë së medias në mesin e vendeve në rajon, raporti i Reporterëve pa Kufij tregon se mungesa e shpeshtë e profesionalizmit të medias në Maqedoninë e Veriut kontribuon në rënien e besimit në media dhe për shkak të polarizimit të fortë politik, gazetarëve mund të përballen me presionin e autoriteteve, politikanëve dhe biznesmenëve.

 

REPORTERË PA KUFIJ

 “Për shkak të polarizimit të fortë politik, media mund t’i nënshtrohet presionit nga autoritetet, politikanët dhe biznesmenët. Dy partitë më të mëdha (në pushtet dhe në opozitë) kanë krijuar sisteme mediatike paralele mbi të cilat ushtrojnë ndikimin e tyre politik dhe ekonomik. Transmetuesit publik i mungon pavarësia editoriale dhe financiare”.

Krahas politikës, raporti thotë se një pjesë e mediave, veçanërisht redaksia e disa prej kanaleve kryesore televizive në vend, janë të ekspozuara edhe ndaj presioneve ekonomike nga pronarët.

REPORTERË PA KUFIJ

“Financimi shtetëror është i kufizuar dhe jo transparent dhe media e pavarur mbështetet shumë te donatorët. Grantet e huaja të bazuara në projekte kontribuojnë mezi në mbijetesë, por jo në zhvillimin e mëtejshëm. Shërbimi i transmetimit publik nuk ka pavarësi editoriale dhe financiare”.

Përkundër faktit se Kushtetuta garanton lirinë e fjalës dhe ndalon censurën, raporti shton se Maqedonia e Veriut mbetet prapa në harmonizimin e legjislacionit për media me standardet e Bashkimit Evropian, të cilit ajo aspiron t’i bashkohet.

REPORTERË PA KUFIJ

“Abuzimi gjyqësor i ligjit të përgjegjësisë civile për shpifje inkurajon autocensurën në media dhe paditë përdoren si një mjet për të frikësuar dhe presion mbi mediat e pavarura.”

Raporti i Reporterëve pa Kufij thekson se pavarësisht transparencës mjaft të dobët të institucioneve të vendit, mjedisi i përgjithshëm mbetet i favorshëm për lirinë e medias dhe lejon raportim kritik. Megjithatë, shtohet se përhapja e lehtë e dezinformatave në mediat dixhitale, e kombinuar me standardet e ulëta profesionale, kontribuon në rënien e besimit të publikut në media. Rënia e besimit në media, nga ana tjetër, i hap rrugën sulmeve të shpeshta verbale ndaj gazetarëve në bazë të kritereve gjinore, etnike apo fetare.

Vendin e parë në listë e zë Norvegjia, para Irlandës, Danimarkës, Suedisë dhe Finlandës, dhe në fund janë Koreja e Veriut, Kina dhe Vietnami. /SHENJA/

MARKETING