(VIDEO) Maqedonia e Veriut po zbrazet, të katërtit në botë për kërkesa për azil në BE

(VIDEO) Maqedonia e Veriut po zbrazet, të katërtit në botë për kërkesa për azil në BE

Maqedonia e Veriut u rendit e katërta në botë sa i përket kërkesave për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian bazuar në numrin e popullësisë. Sipas zytrës së statistikave të BE-së- Eurostat në vitin 2023  aplikimet për azil arritën rekordin e viteve të fundit, plot 6 670, ose 327 aplikime për 100 mijë banorë, nga 17 aplikime për 100 mijë banorë, që është mesatarja e të gjithë aplikimeve në BE. Cilësia e ulët e perceptuar e jetës është arsyeja kryesore pse qytetarët e RMV-së, veçanërisht të rinjtë, vazhdojnë të ikin nga vendi me ritme të krahasueshme me vendet në luftë ose konflikt civil.

Një raport i fundit i Kombeve të Bashkuara, që mat cilësinë e jetesës përmes indeksit të lumturisë  tregoi se qytetarët e Maqedonisë së Veriut ishin ndër më të palumturit në Europë.  Vlerësimin më të ulët Maqedonia e Meriut e merr në treguesin e perceptimit të korrupsionit.

Vendin e parë për aplikime për azil e mban Siria, si një vend që vuan prej vitesh pasojat e luftës civile. Ky vend kishte 874 kërkesa për 100 mijë banorë në vendet e BE-së në vitin 2023. Në vendin e dytë renditet Gjeorgjia, e cila kishte 668 kërkesa për azil në BE për 100 mijë banorë. Pothuajse gjysma e aplikimeve janë në Gjermani, e ndjekur nga Franca dhe Italia.

Shqipëria renditet e treta në botë për aplikimet për azil në 2023, në raport me popullsinë. Sipas Eurostat, në 2023 kanë qenë 9,145 shtetas shqiptarë që kanë aplikuar për azil në një nga shtetet e Bashkimit Europian, ose 331 aplikime për 100 mijë banorë.Të dhënat e Eurostat tregojnë se Franca mbetet vendi më i preferuar për shqiptarët për të kërkuar azil.

Kosova u rendit e 12-ta në botë, me 162 aplikime për 100 mijë banorë. Intensifikimi i emigracionit vitet e fundit shkakton deformime të mëdha në ekonominë e vendit, për shkak të disponueshmërisë së fuqisë punëtore, e cila pengon planet e bizneseve për zgjerim dhe investim, uljen e konsumit dhe në planin afatgjatë, çekuilibrimin e mëtejshëm të skemës pensionale. /SHENJA/

MARKETING