(VIDEO) Maqedonia e Veriut me rritjen me të ngadalë ekonomike në rajon

Banka Botërore parashikon një rritje prej 2.6% për ekonominë e Maqedonisë së Veriut këtë vit, 2.7 % në vitin 2026 dhe 2.8 % në vitin 2027 në raportin e saj të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor. Sipas një raporti të Bankës Botërore, ekonomia e vendit do të rritet më ngadalë në rajon. Rritja më e lartë pritet në Kosovë me 3.8 %, e ndjekur nga Serbia me 3.5 %. Rritja mesatare në rajon vlerësohet të jetë 3.2%. Banka Botërore vlerëson se shpenzimet më të larta për investime publike po kompensohen nga ngadalësimi i konsumit dhe eksporteve.
Në raport thuhet se rritja e tarifave amerikane dhe pasiguria do të ndikojnë indirekt në ekonominë e RMV-së. Parashikimet afatgjata kufizohen nga produktiviteti i ulët, shpërndarja joefikase e kapitalit, kërkesa e dobët e jashtme dhe konsumi i nxitur nga inflacioni, thuhet në raport.
BANKA BOTËRORE
“Perspektivat e rritjes së Maqedonisë së Veriut janë të lidhura ngushtë me përshpejtimin e negociatave të pranimit në BE dhe përpjekjet më të forta për reforma për të mbështetur transformimin strukturor të ekonomisë. Progresi në agjendën e reformave të BE-së, duke përfshirë objektivat e tranzicionit të gjelbër, është thelbësor për nxitjen e rritjes së qëndrueshme në afat të mesëm dhe të gjatë”.
Raporti pohon se rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor parashikohet të ngadalësohet pak në vitin 2025 si rezultat i kërkesës së jashtme më të dobët dhe pasigurisë ekonomike që rrjedh nga ndryshimi i politikave tregtare globale, të cilat mund të ndikojnë negativisht në bizneset dhe besimin e konsumatorëve.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/