(VIDEO) Maqedonia e Veriut mbushi 34 vjet, urojnë krerët e shtetit dhe të politikës

Maqedonia e Veriut sot shënon 34 vjetorin e pavarësisë së saj. Kryeparlamentari Afrim Gashi në urimin e tij për ditën e pavarësisë apeloi qytetarët për unitet dhe paqe. Ai tha se mesazhi i tij është që të bashkohemi rreth vlerave të unitetit dhe përkushtimit për të përmbushur aspiratat e vendit tonë.
AFRIM GASHI, KRYEPARLAMENTAR
“Dita e Pavarësisë është një moment i veçantë, një mundësi për të reflektuar mbi arritjet e mëdha të këtij shteti dhe për të kujtuar se pavarësia nuk është thjesht një dhuratë, por një amanet i trashëguar nga e kaluara, detyrim për të tashmen dhe udhërrëfyes për të ardhmen tonë”.
Presidentja e vendit Gordana Siljanovska Davkova tha se rruga drejt ligjit dhe drejtësisë na çon përmes një shteti të evropianizuar, të themeluar mbi kriteret e Kopenhagës, përmes një qeverisjeje demokratike, një ekonomie konkurruese dhe të begatë dhe përmes një shoqërie civile të fortë dhe mediave të lira.
GORDANA SILJANOVSKA DAVKOVA, PRESIDENTE
“Unë nuk kam hequr dorë dhe nuk do të heq dorë kurrë nga interesat kombëtare maqedonase. Ne duhet të vazhdojmë t’i riafirmojmë ato dhe të luftojmë për to brenda dhe jashtë vendit, në institucionet evropiane dhe ndërkombëtare, në një mënyrë ligjore dhe politike, demokratike”.
Kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij tha se sot akoma ballafaqohemi me kohë që kërkojnë guxim dhe vendosmëri. “Përsëri duhet të bëjmë zgjedhjen e duhur, zgjedhjen e punës, zgjedhjen e të qenit bashkë, zgjedhjen e së ardhmes që do t’u lëmë fëmijëve tanë. Pavarësia nuk është vetëm një nënshkrim dhe një copë letër, është sakrificë, luftë dhe dashuri për këtë tokë të shenjtë”, tha Mickoski.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Kjo pakënaqësi me sistemin është kryesisht për shkak të sjelljes së padrejtë të politikës, tranzicionit tmerrësisht të dhimbshëm, krimit shumë të fortë që ka ngrënë çdo pore të fortë në këtë shoqërinë tonë, padrejtësive që ata kanë parë, faktit se shumë nga ata që drejtuan shtetin dhe vendosën për fatet e të tjerëve ishin pjesë e kancerit kriminal që po e hante shtetin dhe po i qeshte drejtësisë në fytyrë”.
Lideri i LSDM-së Venko Filipçe në urimin e tij bëri thirrje për ndërgjegjësim politik dhe shtetëror. Ai tha se shteti u përket qytetarëve dhe të gjithë duhet ta ruajnë atë.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Dua t’i them qeverisë, ky është një vend për të gjithë. Nuk është vetëm i juaji. Bëj thirrje për ndërgjegjësim politik dhe shtetëror. Patriotizëm është të luftosh për ajër të pastër, e jo të djegësh deponitë dhe të mos bësh asgjë për këtë. Patriotizëm është të ndihmosh më të dobëtit dhe më të varfrit dhe të mos mendosh vetëm për veten”
Lideri i BDI-së Ali Ahmeti u bëri thirrje liderëve maqedonas që ta respektojnë marrëveshjen e Ohrit dhe të ndjekin bashkë rrugën europiane të vendit.
ALI AHMETI, KRYETAR I BDI-SË
“Ftoj liderët politik maqedonas që të heqin dorë nga politika e instalimit të percepcionit të gabuar tek maqedonasit për shqiptarët, të dëshmojnë lidership dhe të rikthehen në rrugën e respektit për vullnetin politik të bashkëqytetarëve të tyre shqiptarë në zgjedhje”.
RMV 34 vjet më parë shpalli pavarësinë e saj nga ish-Federata jugosllave përmes një referendumi popullor.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/