(VIDEO) LSM: Punonjësit në RMV marrin vetëm 18% të punës që kanë krijuar

(VIDEO) LSM: Punonjësit në RMV marrin vetëm 18% të punës që kanë krijuar

 

Punëtorët në Maqedoninë e Veriut prodhojnë më shumë se dyfishin e vlerës ekonomike krahasuar me atë që marrin si pagë, sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, të cilat sot i ka bërë publike Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.

Sipas treguesit për bruto prodhimin vendor për një orë pune, produktiviteti i një punëtori arrin rreth 34 dollarë, mbi mesataren botërore prej 23,27 dollarësh. Në nivel mujor, me një mesatare prej 168 orësh të punuara, kjo do të thotë se një punëtor krijon 297.024 denarë vlerë ekonomike. Megjithatë, paga minimale neto në vend është vetëm 24.379 denarë, që përkthehet se një punëtor me pagë minimale merr vetëm 17% të asaj që ka krijuar.

LSM thekson se kjo shpërndarje është “joproporcionale dhe e padrejtë”, sepse pjesa më e madhe e vlerës ekonomike përfundon për shpenzime kapitale, dhe jo tek punëtorët.

LIDHJA E SINDIKATAVE TË MAQEDONISË

Është e qartë se përpjekjet për të ndaluar rritjen e pagës minimale nuk dalin nga produktiviteti i punëtorëve, por nga sa të pasur janë pronarët dhe funksionarët në kurriz të punës së punëtorëve”.

Produktiviteti i punëtorëve të RMV-së është më i lartë se në disa vende të rajonit, si Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Shqipëria, dhe afër nivelit të Bullgarisë. Megjithatë, paga minimale mbetet dukshëm më e ulët se në shumicën e vendeve fqinje. LSM konkludon se punëtorët shfrytëzohen, e kjo situatë, sipas tyre, mbështetet nga punëdhënësit dhe institucionet, duke theksuar se në shtet ka hapësirë ​​ekonomike për rritje më të madhe të pagave.

Anida Murati /SHENJA/

 

MARKETING