(VIDEO) LSM: Deputetët “të guxojnë” e ta rrisin pagën minimale në 500 euro

Çështja e pagës minimale e cila momentalisht në RMV është më e ulëta në nivel europian dhe rajonal, duket se ka shtuar presionet mbi qeverinë, e cila me muaj të tërë nuk pajtohet asesi të rrisë pagën minimale, aq sa të punësuarit e vendit e kërkojnë, nën arsyetimin se nuk ka mjete në buxhet.
Sot Lidhja e Sindikatave të RMV-së ka dorëzuar kërkesë tek deputetët në kuvend për rritje ugjente të pagës minimale në 500 euro, këtë e ka bërë të ditur ditur kreu i LSM-së Sllobodan Trendafilov. Ai nëpërmjet një shkrimi në rrjete sociale thotë se kërkesa e LSM-së për rritje të pagës minimale është e justifikuar, e nevojshme dhe e qëndrueshme, bazuar në krahasime me vendet e tjera, si dhe në kushtet ekonomike dhe sociale në vend.
SLLOBODAN TRENDAFILOV, KRYETAR I LIDHJES SË SINDIKATAVE TË RMV-SË
“Deputetët duhet menjëherë të veprojnë me procedurë legjislative, të guxojnë të ngrihen në nivelin e detyrës për të cilën janë zgjedhur dhe të pranojnë propozimin e punëtorëve, i cili do të mundësojë, duke filluar nga paga për muajin gusht 2025, punëtorët në vend të marrin një pagë minimale më të lartë, si dhe paga më të larta për shkak të rritjes së pagës minimale. Nevojitet një rritje e jashtëzakonshme e pagës minimale, e cila do ta çojë atë në 500 euro”.
Kërkesës për rritje të pagës minimale i është bashkuar edhe sindikata e gazetarëve dhe të punësuarve në media. Nga atje thonë se në kushtet kur gjithnjë e më shumë gazetarë dhe punonjës të medias mbijetojnë me pagën minimale, Sindikata e gazetarëve i bën thirrje Qeverisë dhe punëdhënësve për një rritje urgjente të pagës minimale.
SINDIKATA E GAZETARËVE DHE TË PUNËSUARVE NË MEDIA
“Qëndrimi i sindikatës së gazetarëve dhe të punësuarve në media korrespondon me kërkesat aktuale të disa sindikatave, të cilat tregojnë se rritja duhet të jetë më shumë se urgjente. “Korigjimi është i nevojshëm sepse niveli aktual i pagës minimale është i padenjë për një jetë të mirë për punonjësit, përfshirë gazetarët dhe punonjësit e medias, interesat e të cilëve përfaqëson sindikata e gazetarëve”
Ata më tej theksojnë se sondazhi i fundit gjithëpërfshirës nga sindikata e gazetarëve i publikuar në janar 2024, tregoi se më shumë se 50 % e punonjësve në media kanë paga nën mesataren, dhe një pjesë e madhe e punonjësve varen nga paga minimale e përcaktuar me ligj.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/