(VIDEO) LSDM: Tender prej 1.2 milionë eurosh për një kompani të afërt me ZNAM
Partia opozitare maqedonase, LSDM, ka publikuar sot, siç e quajnë ata, një skandal të ri me tenderë milionësh. Sipas tyre, bëhet fjalë për një kontratë në vlerë prej 1.2 milionë euro, e dhënë nga Posta e Maqedonisë së Veriut për pastrim dhe mirëmbajtje të higjienës.
Anëtarja e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, Renata Mlladenovska, tha se Kompania BS Klining import-eksport SHPKNL Shkup, e themeluar më 10 korrik 2024, ka fituar një tender në vlerë prej 1.2 milionë eurosh nga Posta e Maqedonisë së Veriut. E, për këtë kompani, ajo thotë se është e afërtë me Lëvizjen ZNAM. Sipas saj, bëhet fjalë për një person me funksion politik – këshilltar nga partia ZNAM në Komunën e Kisella Vodës, që ngre dyshime serioze për lidhje politike dhe keqpërdorim të tenderëve publikë.
SINKRON: RENATA MLLADENOVSKA, ANTARE E BORDIT EKZEKUTIV TË LSDM-SË
“Kontrata e lidhur është për pastrim dhe mirëmbajtje të higjienës. Bëhet fjalë për një kompani pa punëtorë, pa kontrata të mëparshme të realizuara dhe pa përvojë. Në momentin e aplikimit, kjo kompani nuk i ka plotësuar kushtet bazë të përcaktuara në dokumentacionin e tenderit. Nuk kishte minimum tre kontrata të mëparshme për mirëmbajtje higjienike, nuk kishte të paktën 50 të punësuar, nuk kishte realizuar të ardhura vjetore prej së paku 100.000 eurosh në tre vitet e fundit. Madje nuk kishte as pajisje teknike”.
Pavarësisht këtyre mangësive, shtoi Mlladenovska, kompania gjithsesi është përzgjedhur.
SINKRON:RENATA MLLADENOVSKA, ANTARE E BORDIT EKZEKUTIV TË LSDM-SË
“Kjo u bë përmes paraqitjes së nënkontraktorit ‘Serta’ në ofertën e përbashkët, një kompani me përvojë shumëvjeçare në fushën e higjienës. E dyshimtë? Vetëm rreth njëzet ditë pasi kompania fiton tenderin milionësh nga Posta, më 24 nëntor 2025, pronar i ri bëhet Sasho Petrovski. Sikur kompania të ishte themeluar ekskluzivisht për të fituar tenderin. Pronari ndryshohet menjëherë pas përzgjedhjes në tender. Ndërkohë, Sasho Petrovski është këshilltar i ZNAM-it në Komunën e Kisella Vodës”.
Nga LSDM më tej theksojnë se do të vazhdojnë me publikimin e skandaleve dhe, siç deklaruan, lufta kundër krimit dhe korrupsionit nuk do të ndalet.
Samir Mustafa /SHENJA/

