(VIDEO) LSDM: Nuk kërkojmë falje për ata që vjedhin paratë e qytetarëve

(VIDEO) LSDM: Nuk kërkojmë falje për ata që vjedhin paratë e qytetarëve

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë vazhdon “luftën” siç ata e vlerësojnë kundër krimit dhe korrupsionit të Qeverisë të udhëhequr nga VMRO-DPMNE.

Në vend të kërkim faljes, ekipi anti-korrupsion i LSDM-së ka publikuar fakte të reja që lidhin kompaninë e afërt me Ivica Tomovskin, që mbanë pozitën e drejtorit në Sektorin për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta në Qeveri, me pastrim parash përmes tenderëve të dyshimtë.

Opozita ka publikuar numër telefoni që lidhet me kompaninë e që dyshohet se është i Tomovskit.

BOGDANKA KUZEVSKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË 

“Jo, nuk do t’i kërkojmë falje Tomovskit. E kemi thënë dhe do ta përsërisim, nuk u kërkojmë falje atyre që thithin para nga qytetarët! Edhe Arsovski kërkoi falje, e tani askund nuk është, hesht. Ne luftojmë kundër krimit dhe korrupsionit dhe vazhdojmë. Në vend të faljes sot do të publikojmë edhe një të dhënë, edhe një fakt, edhe një provë. Mes numrave të telefonit që figurojnë në këtë kompani familjare, City Outsourcing, është edhe një numër. E kemi kontrolluar atë numër dhe shikoni fotoja e kujt del, e Ivica Tomovskit”

Opozitarët kërkojnë që me këtë rast të merren Prokuroria dhe anti-korrupsioni.

BOGDANKA KUZEVSKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË

“Komisioni Antikorrupsion dhe Prokuroria Publike duhet të nisin hetim për konflikt interesi dhe korrupsion në majat e qeverisë së Mickoskit. Kush do t’i kërkojë falje Tomovskit tani? Vetëm qytetarëve mund t’u kërkoni falje! Por do të vijë edhe ajo ditë, kur do të përgjigjeni, një nga një! Puna nuk ka mbaruar!”

Ky është skandali i parë nga seria e skandaleve që pritet të publikohen nga LSDM-ja opozitare.  Publikimin e skandaleve e ka paralajmëruar kreu i opozitës, ndërkaq akuzat në fjalë i ka hedhur poshtë si të pabaza Tomovski i cili ka njoftuar se kundër partisë opozitare do të inicojë procedurë penale.

Mevludin Imeri /SHENJA/

MARKETING