(VIDEO) LSDM: Mickoski t’i numërojë mirë deputetët e VMRO-së pro ndryshimeve kushtetuese

VMRO-ja edhe sot ka vazhduar deklaratat publike ku pretendon se kryeministri Dimitar Kovaçevski ka thirrur në takim koordinativ deputetët e partisë së tij për t’u siguruar që të njëjtit do të votojnë ndryshimet kushtetuese. Partia e drejtuar nga Hristijan Mickoski spekulon se disa deputetë brenda LSDM-së nuk kanë pranuar të nënshkruajnë dokumentin. Sipas VMRO-së edhe një deputet nga BDI-ja nuk pritet të votojë ndryshimet kushtetuese.

VMRO-DPMNE

“Kovaçevski të dalë dhe të tregojë dokumentin se sa deputetë të LSD-së nuk i kanë nënshkruar se do të votojnë për ndryshimet kushtetuese. Kovaçevski duhet të thotë nëse pas zbulimit të VMRO-DPMNE-së për deputetët e LSD-së që nuk pajtohen me politikat për ndryshimet kushtetuese, ai i ka thirrur në një koordinim grupor, gjatë të cilit u kërkoi të nënshkruajnë dokumentin se do të mbështesin pa kushte ndryshimet kushtetuese, gjë që nuk ndodhi, sepse deputetët e përmendur nuk ishin dakord”

Por, pretendime të tilla janë hedhur poshtë nga LSDM-ja. Partia në pushtet pretendon se Mickoski numëroi 61 deputetë të cilët do të kishin votuar për shpërndarjen e Kuvendit, por realisht Kuvendi jo vetëm që nuk u shpërnda, por u rrit shumica parlamentare.

LIDHJA SOCIALDEMOKRATE

“Tani, kur vendi po hyn në një periudhë vendimtare për integrimet evropiane, Mickoski duhet të numërojë deputetët e VMRO-DPMNE-së të cilët janë të gatshëm të mbështesin amendamentet kushtetuese. Edhe Mickoski e di, sikurse edhe i gjithë opinioni, se në VMRO-DPMNE ka deputetë që mbështesin rrugën evropiane të shtetit, të cilët nuk pajtohen me qëndrimin antievropian të Mickoskit dhe janë të gatshëm të mbështesin të gjitha hapat”.

Nga LSDM-ja shtojnë se, “i izoluar dhe tërësisht peng i së Majtës”, Mickoski është në pritje të humbjeve të reja.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Artan Grubi, dje deklaroi se nuk ka deputet shqiptar që kushtëzon ndryshimet kushtetuese. “Nuk ka deputet në BDI, por edhe shqiptar ose kushdo në shumicën progresive parlamentare që i kushtëzon ndryshimet kushtetuese për Maqedoninë e Veriut evropiane. Mendoj se adresa është në një vend tjetër, kjo është në selinë e VMRO-DPMNE-së”, deklaroi Grubi.

/SHENJA/

MARKETING