(VIDEO) LSDM: Ekonomia e vendit është në krizë

“Maqedonia e Veriut në fund të rajonit për nga ritja ekonomike sipas Bankës Botërore” kështu ka deklaruar Fatmir Bytyqi nga LSDM-ja nga ku ai shprehet që Banka Botërore e ka rishikuar projeksionin e saj për rritjen e ekonomisë maqedonase për vitin 2025, nga 3,0% në 2,6%. Ndërkaq që sipas tij rishikimi në ulje vazhdon edhe për vitin 2026. Nëse e shikojmë edhe nga perspektiva rajonale, ai vlerëson që Maqedonia e Veriut përballet me një tjetër fakt të pafavorshëm nga ku sipas tij vendi ynë ka projeksionin më të ulët për rritje në rajonin e Ballkanit Perëndimor për vitin 2025 dhe është nën mesataren rajonale prej 3,2%.
FATMIR BYTYQI, LSDM
“Banka Botërore thekson se vendi përballet me një deficit fiskal të zgjeruar, dobësim të pozicionit tregtar, ngadalësim nominal të inflacionit, por njëkohësisht identifikon presione të brendshme të çmimeve që sinjalizojnë rreziqe shtesë për stabilitetin e fuqisë blerëse. E gjithë kjo tregon se hapësira që Banka Botërore e detekton për një rimëkëmbje të shpejtë ekonomike është shumë më e ngushtë se ajo që paraqitet në opinion nga ana e Qeverisë”.
Tutje ai thotë që me këtë rishikim në ulje të projeksioneve, Banka Botërore sinjalizon se ekonomia maqedonase aktualisht nuk tregon dinamikë që do të mund të mbështesë një normë rritjeje mbi 3%.
Sipas tij, konfirmimi më i mirë për këtë janë indikatorët aktualë makroekonomikë. Ndërkaq që prodhimi industrial, si një barometër i ndjeshëm i ekonomisë reale, sipas tij tregon një pamje thellësisht të paqëndrueshme, nga ku këto trende tregojnë mungesën e parashikueshmërisë dhe të një politike ekonomike stimuluese.
Anida Murati /SHENJA/