(VIDEO) LSDM dhe VMRO intensifikojnë aktivitetet për ndryshimet kushtetuese
Para seancës së komitetit qendror dhe ekzekutiv të LSDM-së, Kryeministri Dimitar Kovaçevski realizoi takim me ambasadorin e SHBA-së në vend Erik Majer. Pas takimit Kovaçevski në një postim në Facebook ka shkruar se kjo është periudha kur duhet të marrim vendimet kyçe për të përshpejtuar procesin e integrimeve evropiane, sepse BE-ja është rruga jonë e vetme. Siç tha Kovaçevski, me Majerin, përveç procesit të integrimeve evropiane, është biseduar edhe për mbështetjen e SHBA-së në përmbushjen e qëllimeve tona strategjike.
DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“U pajtuam që vendimet e guximshme sjellin sukses, Maqedonia e Veriut, pas anëtarësimit në NATO, duhet të bëhet edhe anëtare e BE-së, për çka vendi ynë ka mbështetje të fortë dhe konkrete nga SHBA-ja. Këtë do ta bëjmë krah për krah me partnerët tanë strategjikë SHBA-në”.
Ndërkohë zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, për MIA-n ka deklaruar se në mbledhjen e komitetit Qendror dhe Ekzekutiv të LSDM-së sonte do t’i përcaktojnë hapat e ardhshëm me ide konkrete për grupet punuese me opozitën dhe do t’i intensifikojnë aktivitetet. “Ne kemi komunikime gjatë gjithë kohës, por zyrtarisht do t’i drejtohemi opozitës për hapjen e këtij dialogu”, tha Mariçiq.
Ndërkaq nga VMRO DPMNE kanë thënë se nuk ka kuptim që kryeministri Kovaçevski ka kërkuar mbledhje për propozimet që në takimin e lidershipit i ka refuzuar.
VMRO-DPMNE
“Kovaçevski nuk e di se ku është, ka thirrur takim për propozimet që në takimin e lidershipit i ka refuzuar. Kryetari Hristijan Mickoski bëri propozimin për qeveri kalimtare pa BDI-në dhe ndryshime kushtetuese me zbatim të prolonguar, pasi që Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së. Kovaçevski e refuzoi atë propozim dhe tani po thërret një takim”.
Komiteti Qendror dhe Ekzekutiv i LSDM-së sonte do të mbajë mbledhje urgjente, temë e të cilave do të jetë mënyra dhe forma në të cilën do të vazhdojnë negociatat me VMRO-DPMNE-në, pas rrethanave të reja të skenës politike pas takimit të liderëve të dy partive, Dimitar Kovaçevski dhe Hristijan Mickoski.
Medina Ajeti /SHENJA/