(VIDEO) LSDM dhe VMRO akuzojnë njëra-tjetrën për keqpërdorimet në ERASMUS+

(VIDEO) LSDM dhe VMRO akuzojnë njëra-tjetrën për keqpërdorimet në ERASMUS+

Përderisa miliona euro nga fondet europiane të programit Erasmus+ zhduken nëpër labirintet e skemave të errëta politike, partitë maqedonase vazhdojnë të përplasen me deklarata të nxehta, duke akuzuar njëra-tjetrën për korrupsion dhe keqpërdorim. LSDM ka kërkuar shkarkimin e ushtrueses së detyrës së drejtores së Agjencisë Kombëtare për Programet Evropiane Arsimore, Ana Mihajllov, si dhe hetim të plotë për dyshimet mbi abuzimet brenda programit Erasmus+.

Nënkryetari i Forumit Rinor të LSDM-së, Jovica Jankoviq, deklaroi se OLAF – Zyra Evropiane për Luftën kundër Mashtrimeve, në raportin e saj të publikuar vitin e kaluar, ka evidentuar abuzime me fondet evropiane në vlerë prej miliona eurosh.

JOVICA JANKOVIQ, NËNKRYETARI I FORUMIT RINOR TË LSDM-SË

“Në raportin e OLAF-it, ekzistojnë dyshime se gjatë periudhës kur Mihajllov ka qenë person përgjegjës për vlerësuesit, përmes personave dhe kompanive të lidhura, janë keqpërdorur mbi 2 milionë euro. Edhe pse raporti është dorëzuar në vitin 2023, deri më sot nuk ka aktakuzë. Pyetja kyçe është: a ka për qëllim pushteti, me emërimin e Mihajllovit, të bllokojë dhe të ndikojë në hetimin e Prokurorisë Publike dhe të OLAF-it?”.

LSDM i kërkon Qeverisë të shkarkojë Mihajllovin dhe Prokurorisë Publike të veprojë urgjentisht për procedimin e të gjithë personave të përfshirë, duke theksuar se fondet evropiane të destinuara për të rinjtë dhe arsimin nuk duhet të përdoren për përfitime partiake ose personale.

Me të njejtën gjuhë, kanë reagur edhe nga VMRO-DPMNE. Sipas tyre, qeveria e LSDM-së gjithmonë do të mbetet sinonim për krim, korrupsion dhe paaftësi.

VMRO-DPMNE

“Skemat e Zaevit dhe Dimovës e kanë shteruar Buxhetin e Erasmus+  me mbi 2.5 milionë euro. 2.5 milionë euro, para evropiane që më pas Bashkimi Evropian i ka kërkuar të kthen nga shteti. Përjashtimet janë të rralla, por pothuajse të gjithë ish-funksionarët, drejtorët, ministrat e LSDM-së janë të lidhur me ndonjë dyshim apo krim të kryer”.

Nga partia në pushtet shtojnë më tej se Lidija Dimova e ka dëmtuar Buxhetin e Agjencisë që drejtonte me mbi 20 milionë denarë, prandaj sipas tyre, LSDM hesht dhe shmanget kur përmendet Dimova.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING