(VIDEO) LSDM dhe BDI: Këtë vit e rrisim pagën minimale dhe pensionet
Dy partitë më të mëdha që janë në pushtet, LSDM dhe BDI, nëpërmjet komunikatave të veçanta kanë ri informuar se gjatë vitit 2023 do të rritet paga minimale dhe pensionet. Sipas paralajmërimeve të qeverisë dhe të partive që janë në pushtet nga muaji mars pensionet do të rriten për 6 ose 7 %, ndërsa paga minimale për 10 %.
LSDM
“LSDM vazhdon me masa dhe politika të suksesshme ekonomike. Tashmë në mars do të ketë një rritje të pensioneve nga gjashtë deri në shtatë për qind për të gjithë 330 mijë pensionistët. Janë krijuar kushte për rritje të re të pagës minimale për 10 për qind, e cila do të jetë hiç më pak se 20.000 denarë, që do të kontribuojë në harmonizimin, përkatësisht rritjen e pagave në të gjithë sektorët”.
BDI
“Bashkimi Demokratik për Integrim kujdesin ndaj qytetarëve e ka pasur gjithnjë në fokus të parë, andaj nga muaji mars do të vazhdojë rritja e pensioneve për rreth 7%, me përfshirjen e rreth 330 mijë pensionistëve. Bashkë me pensionet janë krijuar kushtet për rritjen e pagës minimale për 10% që do të jetë jo më pak se 20 mijë denarë, që do të harmonizohet me rritjen e pagave në të gjithë sektorët”.
Bashkimi Demokratik për Integrim dhe LSDM vlerësojnë se punohet në mënyrë aktive për tërheqjen e investimeve të huaja të cilat hapin vende të reja të punës. Sipas tyre mbështetja për qytetarët për menaxhim me pasojat nga kriza vazhdon, me çka në buxhet janë paraparë 250 milion euro për masa të reja antikrizë. /SHENJA/