(VIDEO) LSDM – BDI dikur partnerë, tani kundërshtarët më të mëdhenj

(VIDEO) LSDM – BDI dikur partnerë, tani kundërshtarët më të mëdhenj

Partnerët e deridikurshëm qeveritar, LSDM –BDI, tani nuk lënë ditë pa e akuzuar e kritikuar njëra tjetrën. Edhe pse bashkërisht e kanë ndarë kulaçin e pushtetin qeveritar, del që paskan shumë mendime të kundërta. Partitë tani fajësojnë njëra tjetrën për shumë mangësi e veprime jo të duhura e të kundërligjshme të shtetit, por në fakt deri para më pak se një viti, kanë qenë së bashku në krye të Qeverisë edhe atë për shumë vite radhazi.

BDI thotë se heshtja dhe nënshtrimi ndaj agjendave nacionaliste nuk janë rruga e LSDM-së, janë rruga e degradimit të saj përfundimtar. Por, shtojnë se shqiptarët nuk do të lejojnë që të përdoren si kurban në pazaret e fshehta politike.

BDI

LSDM nuk është më një opozitë, por një garant i heshtur i një projekti që i shërben vetëm dy grupeve: VMRO-DPMNE-së dhe atyre që kërkojnë të kthejnë pas procesin e barazisë politike dhe ekonomike të shqiptarëve. Por LSDM nuk mund t’i ikë përgjegjësisë së saj historike. Si një parti që pretendon të jetë e majtë, ajo duhet t’i rikthehet identitetit të vet ideologjik dhe të mbrojë parimet mbi të cilat është ndërtuar: barazinë qytetare, përfaqësimin e drejtë, mundësitë e barabarta dhe progresin shoqëror”.

E nga LSDM thonë se ata janë e vetmja forcë politike që merret me bashkëjetesën dhe respektimin e të drejtave të të gjitha bashkësive etnike.

Agron Demiri, LSDM

Kur BDI e akuzon LSDM-në për albanofobinë harron qëllimshëm se në Bordin Ekzekutiv të LSDM-së ka anëtarë shqiptarë, gjithashtu ka shqiptarë edhe në grupin parlamentar të LSDM-së, kurse një numër i madh i shqiptarëve votojnë për partinë tonë. Sepse njohin sinqeritetin dhe përkushtimin për të mirën e të gjithë qytetarëve por edhe për marrëdhëniet e mira ndëretnike”.

Partia e LSDM-së, që nga momenti që kanë dalur në opozitë në vazhdimësi kanë dhënë qëndrime nacionaliste.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING