(VIDEO) Logos-A promovoi në Tiranë krijimtarinë e Sami Frashërit në shtatë vëllime

(VIDEO) Logos-A promovoi në Tiranë krijimtarinë e Sami Frashërit në shtatë vëllime

Me rastin e 120 vjetorit të vdekjes, Sami Frashëri, shtëpia botuese nga Shkupi Logos-A ka përmbledhur në 7 vëllime krijimitarinë  e rilindasit shqiptar, botim i cili u promovua në kuadër të edicionit të 27-të të Panairit të Librit në Tiranë. Bëhet fjalë për një botim të ri, në të cilin janë përfshirë edhe tekste të reja, që nuk janë botuar më parë. Referuesit e këtij botimi, profesorët Xhevat Lloshi dhe Emil Lafe, duke folur për rëndësinë e kësaj vepre, thanë ndër tjerash se, ky botim i ri është një hap tjetër përpara drejt njohjes së thesarit të madh të diturisë së Sami Frashërit dhe lexuesit do të gjejnë aty shumë gjëra të tjera që do të jenë të papritura për të.

Xhevat Lloshi, Referues

“Pas njëzet vjetësh ne vendosëm të bëjmë një botim të ri, i cili këtë radhë nuk është në libra të veçuar, por në libra të botuar sipas tematikës. P.sh një libër janë botimet në gjuhën shqipe të Samiut, në një libër të veçantë është pjesa e tij letrare. Mund të them se është krejt e re që, më përpara ne dinim që kishte vetëm një dramë të Samiut – “Besa”, tani janë katër drama”.

Emil Lafe, referues

“Ne i hyjmë një pune të mundimshme duke i krahasur një për një me origjinalin, dmth duke e transliteruar edhe njëherë tekstin e Samiut dhe vumë re se kishte shumë mospërputhje midis asaj që ka qenë në origjinal dhe atyre që kanë qenë botuar më përpara, ka pas shumë gabime, jemi përpjekur që të mos lejojmë që në këtë botim të ketë mospërputhje”.

Ndërkaq, kryeredaktori i SHB Logos – A tha se, në këtë panair marrin pjesë me më shumë se 40 libra të botuara gjatë këtij viti.

Husamedin Abazi, kryeredaktor i Logos – A

“Mburremi sidomos me kompletin e Sami Frashërit, i cili është me sa tekstet shtesë që nuk kanë qenë në botimin e parë e që e dimë vërtetë që Samiu ka mbi 60 libra, por me këtë komplet që ne e kemi bërë tani, tani vetëm që janë kompletuar 30 libra të Samiut”

Në mesin e botimeve të këtij viti, Logos A ka ribotuar romanin “Mëhalla e Grave” të Kim Mehmetit, si  dhe e ka botuar për herë të parë “Fermën e derrave” nga i njejti autor. Duke folur mbi tematikën e romanit të fundit, Mehmeti tha se, bëhet fjalë për një roman të shkurtë, i cili flet mbi një temë mjaft të ndishme për një temë për shqiptarët e Maqedonisë.

Kim Mehmeti, Shkrimtar 

“Aty trajtohet më shumë ajo periudha e socializmit kur ishte problem në Maqedoni të jesh shqiptar, ishte problem të jesh edhe musliman, sepse gjithmonë ekzistonte ajo trysni kundër nesh që Maqedonia thjeshtë nuk na dutronte në atë shtet të jemi”.

Kujtojmë se, Sami Frashëri ka qenë gjuhëtar, leksikograf, enciklopedist, romancier, dramaturg, përkthyes dhe ideologu themelor i Rilindjes Kombëtare, së bashku me dy vëllezërit e tij Abdylin dhe Naimin. Veprimtaria e tij u shtri në gjuhën shqipe, turke dhe osmane. Traktati i tij, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” u bë manifesti politik i Lëvizjes Kombëtare.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING