(VIDEO) Limani: Në Kërçovë me emrin tim po “maten” opozita

Ndonëse aktualisht mban pozitën e Ministrit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Fatmir Limani nuk e përjashton mundësinë që të garojë nën llogo të koalicionit VLEN për komunën e Kërçovës, në zgjedhjet lokale. I pyetur nga TV Shenja, Limani tha se emrin e tij në anketa e kanë përfshirë edhe opozitza.
Thotë se kandidatët e VLEN në të gjitha komunat jo vetëm në Kërçovë do të jenë si nevojë dhe kërkesë e qytetarëve e jo si dëshirë personale e VLEN.
FATMIR LIMANI – MINISTËR I POLITIKËS SOCIALE DEMOGRAFISË DHE RINISË
“Emri im është duke u anketuar, është pjesë përbërëse e anketave nga pala tjetër e opozitës. Nuk e përjashtoj këtë mundësi. Të gjithë e dimë se as Kërçova dhe as një komunë tjetër nuk janë dëshirë e jona personale, por është një realitet i bazuar mbi kërkesën dhe nevojat e qytetarëve. Ashtu siç të vendoset, ashtu edhe do të prononcohemi në fund”.
Kur jemi tek zgjedhjet lokale, mund të potencojmë se koalicioni VLEN do ta mbështesë kandidatin e pavarur Mendi Qyra për komunën e Strugës. Këtë e ka kumtuar, zv.kryeministri Arben Fetai i cili e ka vlerësuar si të qëlluar kandidimin e Qyrës dhe ka thënë se beson fuqishëm se ai edhe do ta fitojë garën në Qytetin buzë liqenit.
Mevludin Imeri /SHENJA/