(VIDEO) Limani dhe Bejta kërkojnë votat e banorëve të Gostivarit
Aleanca Kombëtare për Integrim , në prag të zgjedhjeve lokale të 11 janarit, ka zhvilluar në Gostivar një takim të zgjeruar me rininë e koalicionit, duke konfirmuar rolin kyç të të rinjve në mobilizimin elektoral dhe në vizionin politik të kësaj force. Në këtë takim morën pjesë kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, kryesuesi i Këshillit Komunal Valdet Xhaferi, kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, si dhe drejtuesit e shtabeve zgjedhore.
Limani falënderoi rininë për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se ata kanë qenë promotorë të rezultatit prej rreth 17 mijë votash në rrethin e parë zgjedhor dhe se edhe kësaj here do të jenë faktori vendimtar që do ta vulosë fitoren. Ai nënvizoi se të rinjtë do të kenë një rol të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen politike gjatë katër viteve të ardhshme, duke vënë në pah përfaqësimin e tyre të konsiderueshëm në Këshillin Komunal, ku një pjesë e këshilltarëve të rinj të AKI-së janë pikërisht nga radhët e rinisë.
Ndërkaq, kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, ka zhvilluar takim me banorët e fshatit Raven, ku ka dëgjuar nga afër shqetësimet dhe kërkesat e tyre lidhur me gjendjen aktuale dhe mungesën e investimeve në vitet e fundit.
Nga Shtabi I Bejtës informuan se gjatë bashkëbisedimit, banorët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për neglizhencën komunale dhe mungesën e zhvillimit. Ata kanë kërkuar projekte konkrete dhe angazhim serioz për përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës.
Bejta, prezantoi projektet që, sipas tij, do të realizohen me ardhjen e tij në krye të Komunës së Gostivarit, duke theksuar se zhvillimi i Ravenit do të jetë pjesë e prioriteteve të qeverisjes së tij lokale. “Kemi një zotim të përbashkët që çdo projekt të realizohet në përputhje me kërkesat e qytetarëve”, u shpreh Bejta, duke shtuar se pas fitores së pritshme më 11 janar, komunën e presin shumë punë dhe investime të mira. /SHENJA/

