(VIDEO) Limani dhe Ademi shpalosin planet për Gostivarin

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për Komunën e Gostivarit, Valbon Limani, në emisionin “Debat në SHENJA” ka deklaruar se që nga marrja e detyrës në komunë, në korrik, me të në krye, janë realizuar mbi 20 projekte në fushën e infrastrukturës. Limani theksoi se në rast se qytetarët ia japin sërish besimin do të vazhdojë punën edhe me më shumë përkushtim. Ndër projektet e para që do të realizojë ai përmendi kanalizimin fekal në fshatin Çegran dhe ujësjellësin në fshatin Debresh.
Valbon Limani, kandidati i AKI për Gostivarin
“Paralel me këtë në programin tonë kemi paraparë edhe masa posaçërisht masa të cilat ndoshtra nuk janë aq në shuma të mëdha mirëpo besoj se do të lehtësojnë siç janë çlirimi prej taksave në 5 vitet e para për të rinjtë të cilët do të hapin biznese të reja”.
Ndërkaq i ftuari tjetër Kandidati i pavarur për Komunën e Gostivarit, Visar Ademi, në “Debat në SHENJA” thotë se në rast se merr mandatin e kryetarit do ta pastroj administratën nga militantët partiakë. Ai ka kritikuar ashpër edhe gjendjen e menaxhimit të mbeturinave në komunë, nga ku thotë se mungesa e infrastrukturës dhe kapaciteteve teknike ka sjellë një krizë të vërtetë në pastrimin e qytetit.
Visar Ademi, Kandidati i pavarur për Komunën e Gostivarit
“Sipas të dhënave tona, mbi 500 persona marrin rrogë duke qëndruar në shtëpi, pa asnjë angazhim konkret. Të gjithë ata me kontratë vepre, që nuk kanë ndonjë vend specifik pune, do të largohen menjëherë. Do ta pastroj administratën nga militantët partiakë”.
Tutje Ademi bëri të ditur që fushata e tij elektorale po mbështetet financiarisht nga sektori privat, diaspora dhe nga ai vetë personalisht. Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së komunitetit dhe burimeve të ndryshme për të realizuar një fushatë të pavarur dhe të suksesshme.
Anida Murati /SHENJA/