(VIDEO) Ligji për përfaqësim të drejtë, pushteti lavdërohet, opozita akuzon

Të martën, ligji për përfaqësim të drejtë pritet të kaloj në seancë qeveritare. Ndërsa më pas do të dorëzohet në Kuvend. I pyetur për akuzat e opozitës në lidhje me këtë ligj, koordinator i grupit parlamentar të VLEN-it Bekim Qoku u mjaftua të thotë se prandaj bëhet ligji, që të përfaqësoj të gjitha përkatësitë etnike.
MARKETING
Bekim Qoku, koordinator i grupit parlamentar të VLEN-it
“Ligji prandaj bëhet. Ligji ka karakter universal dhe pretendon që të ketë edhe barazi se para ligjit të gjithë janë të barabartë. Ai bëhet që të përfaqësoj, që të garantoj një përfaqësi të drejtë për gjitha komunitetet përfshirë komunitetin maqedonas, shqiptarë, turq e kështu me radhë”.
Ndërkohë nga Aleanca për Shqiptarët krahu i Arben Taravarit kanë thënë se me këtë ligj, pa mekanizma detyrues, shqiptarëve u hiqet e drejta kushtetuese për përfaqësim.
ASH e Arben Taravarit
“Aleanca për Shqiptarët kërkon rikthimin e kalkulatorit proporcional si mekanizëm të detyrueshëm për çdo institucion publik në proceset e punësimit, në përputhje me të dhënat zyrtare të regjistrimit dhe me Kushtetutën. Gjithashtu, kërkojmë vendosjen e masave konkrete ligjore ndaj institucioneve që nuk zbatojnë përfaqësimin e drejtë”.
Nga BDI një ditë më parë janë shprehur se propozimi i ligjit të ri, nuk e mbron, por sipas tyre përkundrazi, e minon parimin kushtetues të përfaqësimit të drejtë, duke hyrë në konflikt të drejtpërdrejtë me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe me ndryshimet kushtetuese që burojnë prej saj.
Ligji i ri është bërë që të zëvendësoj të ashtuquajturin mekanizmin ‘Balancues’ që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese vitin e kaluar. Edhe pse verzioni zyrtar i ligjit nuk është publikuar ende, partitë kanë akuzuar njëra tjetrën nëse ligji i ri apo ai që u shfuqizua është më adekuati për përfaqësimin e shqiptarëve nëpër institucione.
Emine Ismaili /SHENJA/