(VIDEO) Ligji për konsumatorët kaloi filtrin e parë në Kuvend

(VIDEO) Ligji për konsumatorët kaloi filtrin e parë në Kuvend

Propozimi për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve kaloi filtrin e parë në seancën e sotme plenare. Sipas këtij propozim ligji të dorëzuar nga shumica parlamentare, marketet do të obligohen t’i publikojnë në ueb faqet e tyre çmimet e mallrave që ofrojnë për shitje. Bojan Stojanovski tha sot në konferencë për media se, me këtë ligj, do të sigurohet transparencë më e madhe e çmimeve në markete dhe do të mundësojë që konsumatorët më lehtë t’i krahasojnë produktet.

MARKETING

Bojan Stojanovski, VMRO – DPMNE

Harmonizimi i çmimeve do të realizohet në bazë ditore, ndërsa gjatë publikimit të çmimeve do të zbatohen dispozitat nga ky ligj për përcaktimin e çmimeve. Gjithashtu, me këtë ligj i jepet autorizim ministrit të Ekonomisë dhe Punës të përcaktojë me akt nënligjor mënyrën e publikimit të çmimeve të mallrave dhe të dhënave të cilat duhet të publikohen në përputhje me paragrafin 1 të këtij neni. Në këtë mënyrë do të sigurohet bazë për informim më të mirë të konsumatorëve për çmimet e mallrave të cilat duan t’i blenë dhe do të lehtësojnë krahasueshmërinë e çmimeve.

Ndërkaq, në seancën e sotme, nuk kaloi propozim ligji i dorëzuar i LSDM-së për ulje të TVSH-së për energjinë elektrike dhe produkte ushqimore. Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi tha se, shumica parlamentare i hodhi poshtë masat konkrete që sipas tij, do të nënkuptonin fatura më të lira të rrymës dhe ushqim më të lirë.

Fatmir Bytyqi, LSDM

Me ndryshimet e propozuara në ligjin për TVSH-në kemi paraparë zgjidhje të qëndrueshme. Ulja e TVSH-së për energjinë elektrike do të nënkuptonte 13% ulje të faturave për mbi 600 mijë familje. Për një faturë prej 3.000 denarë qytetarët do të kursenin 400 denarë në muaj, ndërsa për fatura më të larta kursimet do të ishin edhe më të mëdha. E njëjta vlen edhe për produktet bazë ushqimore. Ulja e TVSH-së prej 5% në 0% do të nënkuptonte lirim direkt të ushqimit – përkatësisht mbi 3.000 produkte do të ishin më lirë”.

Kujtojmë se, më 11 shkurt Qeveria vendosi të kufizojë marzhat në tregtinë me pakicë për 10 përqind dhe me të njëjtën përqindje në tregtinë me shumicë. Kufizimi i marzhës do të zgjasë deri më 30 prill. Do të përfshihen produktet ushqimore bazë, detergjentet dhe ushqimi për fëmijë.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING