(VIDEO) Ligji i Amnistisë do të miratohet me procedurë të shkurtuar
Ligji i Amnistisë do të miratohet me procedurë të shkurtuar. Shërbimet e Kuvendit kanë bërë me dije se Ligji ka arritur në Kuvend dhe se kryetari Talat Xhaferi e ka dorëzuar atë tek të gjithë deputetët.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski edhe një herë sot tha që LSDM, do të parashtroj amendament pasi propozim ligji për amnisti të hyjë në Parlament.
DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Edhe unë kam qëndrimin tim rreth ligjit dhe në atë se grupi parlamentar i LSDM-së menjëherë do të dorëzojë amendament, pasi të hyjë në procedurë ligji, që mos të ketë mundësi që të përfshihen persona të caktuar në pjesë të kësaj amnistie”.
Deri tek kjo deklaratë kryeministri erdhi pasi qarkulluan informacione në opinion se ligji për amnisti do të përfshijë edhe personat e dënuar për rastin “Monstra”.
I papranueshëm ky ligj është edhe për ministrin e Brendshëm Oliver Spasovskin, i cili ditët e fundit e shprehi qëndrimin se është kundër ligjit për amnisti. E këtë veprim të tij, e komentoi edhe lideri i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski.
HRISITIJAN MICKOSKI, LIDER I VMRO-DPMNE-SË
“Spasovski ka dy opsione. Opsioni i parë është që nëse nuk pajtohet ta lëshoj Qeverinë dhe e dyta të ndaloj së bëri teatër, të heshtë dhe të pranoj se ata që janë të përfshirë në këtë ligj janë kriminelë famëkeq, persona që kanë bërë tregti me substanca të palejuara, ose të njohur si narko dilerë, kanë larë para, kanë bërë zhvatje, kanë kryer dhunë e kështu me radhë”.
Mickoski disa herë ka deklaruar se VMRO do të përdorë të gjitha mjetet për të penguar miratimin e Ligjit për Amnisti.
Ndërkaq, kryeministri Kovaçevski bëri me dije se Qeveria ka siguruar 24 milion euro për ndërtimin e objektit të ri në kuadër të burgut të Idrizovës me kapacitet prej 900 vendeve. Megjithatë, vlerëson që Ligji për Amnisti duhet të miratohet. Emine Ismaili /SHENJA/