(VIDEO) Levica kërkon që urgjentisht të shpallet gjendje krize
Situata me ndotjen e ajrit është jashtëzakonisht alarmante dhe për këtë arsye Levica kërkon masa urgjente dhe të menjëhershme afatshkurtra që mund të zbatohen menjëherë përmes koordinimit të pushtetit lokal dhe institucioneve. Sipas tyre, Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, VVLEN dhe ZNAM është e paaftë dhe pa interes për jetën e qytetarëve dhe lejon që kjo katastrofë të vazhdojë çdo vit.
LEVICA
“Kjo është më shumë se pakujdesi – ky është gjenocid i kryer me injorimin e qëllimshëm të gjendjes që çdo vit ‘na vret’. Përgjegjësia më e madhe bie mbi zëvendëskryeministrin dhe ministrin e mjedisit jetësor, Izet Mexhiti, i cili e përdor funksionin për interesa personale dhe partiake, në vend që të fokusohet në luftën kundër ndotjes”.
Levica kërkon që menjëherë të shpallet gjendja e krizës për shkak të seriozitetit të situatës dhe të fillojë një aksion masiv për luftën kundër ndotjes së ajrit. Ata kërkojnë mobilizimin e shërbimeve inspektuese, mbylljen e ndotësve më të mëdhenj dhe marrjen e masave urgjente për pastrimin e deponive të paligjshme.
Sipas të dhënave të platformës IQAir, e cila monitoron nivelet e ndotjes, kryeqyteti i Maqedonisësë Veriut të premten e kishte 263 njësi, koncentrimin e grimcave të dëmshme. Niveli i grimcave PM2.5 ishte 37.7 herë më i lartë se vlera e lejuar vjetore sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Probleme të ngjashme vërehen edhe në qytete të tjera si Strumicë, Kavadar, Tetovë dhe Koçan, ku koncentrimi i grimcave ndotëse është shumë i lartë. Shkupi shpeshherë ndodhet ndër dhjetë qytetet më të ndotura në botë, por masa e vetme që aplikohet shpesh është transporti publik falas kur ajri është shumë i ndotur për tre ditë rresht. /SHENJA/