(VIDEO) LEN: Pa anëtar të opozitës shqiptare në KSHZ, nuk mund të ketë zgjedhje të lira
Pa anëtar të opozitës shqiptare në KSHZ, nuk mund të ketë zgjedhje fer, të lira dhe demokratike. Kështu deklarojnë nga Lidhja Evropiane për Ndryshim. Ardian Demiri nga Lëvizja Demokratike, tha se konkursi për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve tashmë është mbyllur dhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi po ashtu është i njoftuar se kandidat i Lidhjes Europiane për Ndryshim është Abdush Demiri. Nga Lidhja kërkojnë që të Xhaferi të veprojë sa më shpejtë konform Kushtetutës dhe Ligjeve përkatëse të cilat theksojnë qartë se opozita duhet të ketë përfaqësuesin e saj në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.
ARDIAN DEMIRI, LËVIZJA DEMOKRATIKE
“Çdo veprim tjetër do të ishte tregues i qartë se pushteti, pjesë e të cilës është edhe kryetari i Kuvendit, po përgatitet që zgjedhjet e ardhshme të jenë të manipuluara, jo-demokratike dhe pa përfaqësues të opozitës shqiptare, rrjedhimisht del të jetë një proces jo i rregullt dhe jo demokratik. Kjo është në kundërshti të plotë me vlerat dhe standardet europiane gjë që do të ndikojë negativisht edhe në procesion euro-integrues të vendit”.
Nga Lidhja Evropiane për Ndryshim, sërish akuzojnë Bujar Osmanin, për siç thojnë ata, se ka indicie për manipulime të zgjedhjeve.
ARDIAN DEMIRI, LËVIZJA DEMOKRATIKE
“Indicie të para për manipulim të zgjedhjeve veçmë janë dhënë nga ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani i cili si kryesues me OSBE-në ka tentuar të ndikojë që të ulë numrin e vëzhguesve të këtij institucioni kaq të rëndësishëm ndërkombëtar i cili mbikëqyr dhe vlerëson proceset zgjedhore”.
Ndërkaq, ata theksojnë se nëse përpiqen që të mbajnë plotësisht nën kontroll KSHZ-në dhe ta lënë pa përfaqësues të opozitës shqiptare, në këtë rast të Lidhjes Europiane për Ndryshim, atëherë në takimet e tyre me faktorë relevant ndërkombëtar e lokal, ata informojnë se do t’i informojnë dhe alarmojmë të gjitha institucionet ndërkombëtare, ambasadat e vendeve mike si atë të SHBA-së, BE-së por edhe të vendeve tjera europiane për këtë tendencë.
Samir Mustafa /SHENJA/