(VIDEO) Lëkundet Fronti Evropian, Thaçi doli, BDI nuk pret largime tjera
Partia Demokratike Shqiptare me në krye me Menduh Thaçin, definitivisht është larguar nga Fronti Europian, koalicion ky që u krijua para zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Këtë e pohoi kryetari i kësaj partie Menduh Thaçi të hënën në mbrëmje në një emision në Klan Maqedoni. Thaçi nuk ka treguar arsyet e largimit të tij nga ky koalicion, ndërsa mes tjerash tha se nuk do të bëhet pjesë e Qeverisë.
Megjithatë, ish deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Arta Billali Zendeli, tha se grupi parlamentar i Frontit është në përbërje të plotë, ndërsa shtoi se Thaçi do të vazhdojë të veprojë si opozitar dhe do të konsultohet me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti.
ARTA BILALLI ZENDELI, ISH DEPUTETE E BASHKIMIT DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Qëndrimet e Menduh Thaçit, ai vet i publikoi dje. Mendoj se ai ishte mjaftueshëm i qartë që të shihet, dhe krijohet përshtypje se ai do të vazhdojë të veprojë si opozitë dhe do të konsultohet, apo do të mbajë konsultime me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti”.
Zendeli më tej tha se nuk pritet që të ketë largime tjera të deputetëve nga Fronti Europian. Kujtojmë se Thaçi, mandatin e deputetit e ka fituar nën ombrellën e Frontit, i cili ka garuar në njësinë zgjedhore numër 6, ndërsa braktisja e tij, u vërejt në pres konferencën e opozitës të mbajtur disa ditë më parë për 100 ditët e Qeverisë, ku edhe mungoi kreu i PDSH-së.
Samir Mustafa /SHENJA/