(VIDEO) Kuvendi konstaton ndërprerjen e mandatit të Avokatit të Popullit

Kuvendi sot konstatoi përfundimin e mandatit të Avokatit të Popullit Naser Ziberi, për shkak të përmbushjes së kushteve për pension pleqërie. Pas largimit të tij, Kuvendi ka votuar për shpalljen e konkursit për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit, ndërsa kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, tashmë e ka nënshkruar vendimin për shpalljen e tij.
AFRIM GASHI,KRYETAR I KUVENDIT
“Ju njoftoj se Avokati i Popullit, Naser Ziberi, më 12.7.2025 ka plotësuar kushtet për pension të pleqërisë. Konstatoj se, bazuar në nenin 9 paragrafi 1 pika 3 të Ligjit për Avokatin e Popullit, funksioni i Avokatit të Popullit, Naser Ziberi, përfundon më 12 korrik 2025 për shkak të plotësimit të kushteve për pensionim“.
Aktualisht, institucioni funksionon vetëm me dy zëvendës – Ilber Rufati nga Kërçova dhe Sonja Trifunovska nga Shkupi – ndërkohë që mungojnë edhe shtatë zëvendës të tjerë, që sipas ligjit duhet ta plotësojnë ekipin e Ombudsmanit. Mandati i këtij pozicioni zgjat tetë vjet, dhe Ziberi e ka mbajtur këtë pozicion që nga viti 2021 dhe mandati i tij zyrtarisht duhej të zgjaste deri në vitin 2029. Ziberi u zgjodh në janar të vitit 2021 me 61 vota pro dhe asnjë kundër, duke e pasuar Ixhet Memetin, i cili e udhëhoqi këtë institucion për 16 vite me radhë.
Samir Mustafa /SHENJA/