(VIDEO) Kuvendi do ta forcojë mbikqyrjen e parasë publike
Kuvendi synon të forcojë mekanizmat e mbikëqyrjes së shpenzimit të parave publike, ndërkaq kryeparlamentari, Afrim Gashi, gjatë ngjarjes “Forcimi i mbikëqyrjes parlamentare përmes bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit dhe Entit Shtetëror të Revizionit”, paralajmëroi edhe hapa kokret në këtë drejtim. Gashi tha se në periudhën e ardhshme do t’i avancojnë kapacitetet parlamentare për interpretimin e raporteve të revizioni.
Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit
“Kuvendi është i vendosur që raportet e revizionit t’i trajtojë me rëndësi të lartë dhe ato t’i shndërrojë në debat, vendimmarrje dhe korrigjim institucional. Ky është edhe një rikujtim për deputetët dhe shërbimet që raportet e revizionit nuk mjaftohen vetëm me lexim, por duan edhe reflektim. Sepse, ju e dini, është një rregull i pashkruar i auditorëve që thotë “Çfarë nuk është dokumentuar, nuk është bërë”.
Ndërkaq, ambasadori i OSBE-së në Shkup, Kilian Vall, theksoi se sipas vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare, funksionimi i demokracisë varet nga aftësia e parlamenteve për të shqyrtuar në mënyrë efektive gjetjet e institucioneve mbikëqyrëse dhe për të zbatuar rekomandimet e tyre.
Kilian Vall, ambasador i OSBE-së në Shkup
“Angazhimi i vazhdueshëm me gjetjet e revizionit është me rëndësi thelbësore për menaxhimin transparent të burimeve publike dhe është në interesin më të mirë të qytetarëve”.
Sipas kryerevizorit shtetëror, Maksim Acevski, raportet e revizionit janë baza profesionale për mbikqyrjen parlamentare dhe për kontrollin demokratik mbi shpenzimet e fondeve publike, ndërsa ndjekja e zbatimit të rekomandimeve është një element kyç për mbylljen e ciklit të llogaridhënies.
Maksim Acevski, kryerevizori shtetëror
“Qytetarët tanë kanë të drejtë të jenë të sigurt se çdo denar shfrytëzohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Enti Shtetëror i Revizionit ka përgjegjësinë të sigurojë që fondet publike të përdoren në përputhje me ligjet dhe principet më të mira të menaxhimit financiar”.
Kujtojmë se, Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR) është institucioni suprem i pavarur në Maqedoninë e Veriut që kontrollon shpenzimin e parasë publike. Ai revidon përdorimin e fondeve nga institucionet shtetërore, transparencën dhe objektivitetin e raporteve financiare, duke informuar opinionin për gjetjet.
Teuta Buçi /SHENJA/

